BBC-ja është e vendosur të luftojë çdo padi ligjore të ngritur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe nuk sheh asnjë bazë për një padi për shpifje për shkak të redaktimit të njërit prej fjalimeve të tij, ka thënë kryetari i saj të hënën.
Trumpi ka deklaruar të premten se ka të ngjarë të padisë transmetuesin britanik këtë javë duke kërkuar dëmshpërblim deri në 5 miliardë dollarë, pasi mediumi kishte bashkuar fragmente të ndara të një fjalimi të tij më 6 janar 2021, ditën kur mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin.
Redaktimi krijoi përshtypjen se ai kishte bërë thirrje për dhunë.
Mirëpo, kryetari i BBC-së, Samir Shah, i ka dërguar një letër Trumpit për të kërkuar falje për redaktimin, ka bërë të ditur BBC-ja të enjten, por ka thënë se nuk ishte aspak dakord që kishte bazë për një pretendim për shpifje.
"Dua të jem shumë i qartë me ju - qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Nuk ka bazë për një padi shpifjeje dhe ne jemi të vendosur ta luftojmë këtë”, ka thënë Trumpi në një email drejtuar stafit.
Dokumentari është transmetuar në Britani para zgjedhjeve të nëntorit 2024 në SHBA.
Ai tregonte Trumpin duke u thënë mbështetësve "ne do të ecim drejt Kapitolit" dhe do të "luftojmë ashpër", një koment që ai bëri në një pjesë tjetër të fjalimit të tij.
Trumpi në fakt kishte thënë se mbështetësit do të "brohorisnin senatorët dhe kongresmenët tanë të guximshëm".
Redaktimi u bë publik pasi Daily Telegraph publikoi një raport të brendshëm të rrjedhur të BBC-së.
Raporti, i shkruar nga një këshilltar i pavarur, përmbante kritika më të gjera ndaj lajmeve të BBC-së, duke përfshirë pohimet për paragjykime anti-Izrael në BBC Arabic, dhe mungesë ekuilibri në historitë rreth çështjeve transgjinore.
Raporti çoi në dorëheqjen e drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe drejtoreshës së lajmeve Deborah Turness.