Ekspertët e medias amerikane dhe ligjit të shpifjes thonë se presidenti përballet me pengesa të konsiderueshme për të fituar dëmshpërblime kaq të mëdha nga një padi kundër BBC-së, pjesërisht për shkak të ligjeve të forta të lirisë së shtypit në SHBA.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar të padisë BBC-në për dëmshpërblim deri në 1 miliard dollarë, duke pretenduar se organizata ka bërë “deklarata të rreme, shpifëse, përçmuese dhe nxitëse” për të, në një dokumentar.
Në një letër drejtuar BBC-së, ekipi ligjor i Trumpit ka kërkuar tri gjëra: të paraqesë një “tërheqje të plotë dhe të drejtë" të dokumentarit, një kërkimfalje, dhe që BBC-ja “të kompensojë në mënyrë të përshtatshme presidentin Trump për dëmin e shkaktuar”.
Një memo e shkruar nga një ish-këshilltar i jashtëm i pavarur në komitetin e standardeve editoriale të transmetuesit, sugjeronte që programi Panorama kishte redaktuar pjesë të një fjalimi të Trumpit, kështu që ai dukej sikur inkurajonte në mënyrë të qartë trazirat në Capitol Hill, të janarit 2021.
Programi njëorësh u transmetua në Mbretërinë e Bashkuar pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Pra, sa i fortë është rasti i Trumpit?
Kryetari i BBC-së, Samir Shah, ka thënë se do të donte të kërkonte falje për dokumentarin, duke deklaruar se media kishte bërë "një gabim gjykimi" sepse redaktimet dhanë përshtypjen e një “thirrjeje të drejtpërdrejtë për veprim” nga Trumpi.
Drejtori i përgjithshëm në largim i BBC-së, Tim Davie, i cili ka dhënë dorëheqjen mes kritikave, ka thënë se “mendonte se ishte bërë një gabim dhe se pati një shkelje editoriale”.
Por ekspertët e medias amerikane dhe ligjit të shpifjes thonë se presidenti përballet me pengesa të konsiderueshme për të fituar dëmshpërblime kaq të mëdha nga një padi kundër BBC-së, pjesërisht për shkak të ligjeve të forta të lirisë së shtypit në SHBA.
Kontradiktat filluan javën e kaluar, pasi Daily Telegraph publikoi memorandumin e ish-këshilltarit që kritikonte dokumentarin dhe mënyrën se si është redaktuar fjalimi i Trumpit.
Trumpi në fakt kishte thënë “Do të ecim deri në Kapitol dhe do të brohorasim për senatorët, kongresmenët dhe gratë tona të guximshme”.
Megjithatë, në redaktimin e Panorama, ai u shfaq duke thënë: “Do të ecim deri në Kapitol... dhe unë do të jem atje me ju. Dhe ne luftojmë. Ne luftojmë si ferr”.
Fjalimi i tij në Ellipse ishte mbajtur ndërsa Kongresi ishte gati të certifikonte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 për fituesin, Joe Biden. Pak minuta pasi ai përfundoi fjalimin e tij, një turmë e madhe mbështetësish të tij hynë në Kapitolin e SHBA-së.
Ditë më vonë, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi për të shkarkuar presidentin me akuzën e “nxitjes së kryengritjes” dhe Senati më vonë e liroi atë nga akuzat. Trumpi ka thënë se fjalimi i tij ishte "perfekt".
Sekretarja për Shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt e ka quajtur BBC-në një medium me “lajme totale, 100% të rreme”.
Pasi Davie dhe udhëheqësja kryesore e divizionit të lajmeve të BBC-së dhanë dorëheqjen, pasoi kërcënimi me veprime ligjore. Avokati i Trumpit ka thënë në letrën e tij drejtuar BBC-së se në dokumentar, korporata "synonte qëllimisht të mashtronte plotësisht shikuesit e saj” duke bashkuar tre klipe të ndara të fjalimit.
Ai ka shtuar se BBC-ja i kishte shkaktuar presidentit “dëm të madh financiar dhe reputacional”.
Trumpi, në një intervistë më pas me Laura Ingraham në Fox News, ka thënë se kishte një “detyrim” për të paditur, dhe e ka përshkruar redaktimin e dokumentarit si “shumë të pandershëm”.
Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së i jep mbrojtje të konsiderueshme lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit.
Vendimi historik i Gjykatës Supreme të SHBA-së i vitit 1964 në rastin “New York Times kundër Sullivan”, përcaktoi se figurat publike që padisin për shpifje duhet të dëshmojnë “keqdashje të vërtetë”, që do të thotë se “deklarata është bërë me dijeni të falsitetit të saj ose me shpërfillje të pamatur të faktit nëse ishte e vërtetë apo e rreme”.
Trumpi do të duhet të provojë tre komponentë kryesorë: që përmbajtja e publikuar ishte faktikisht e rreme në një mënyrë që ishte shpifëse, që ai pësoi dëm për shkak të mbulimit të rremë dhe shpifës, dhe që organizata mediatike e dinte se ishte e rreme dhe veproi me “keqdashje të vërtetë”.
“Të gjitha këto krijojnë disa vështirësi për një paditës, mendoj unë”, ka thënë për BBC-në, George Freeman, drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Burimeve të Ligjit të Medias në New York.
Por jo të gjithë janë dakord.
Burt Neuborne, një profesor emeritus në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të New Yorkut, ka thënë se Trumpi ka një rast kundër BBC-së sepse redaktimet e fjalimit të Trumpit ishin mashtruese.
“Keqdashja e vërtetë këtu është përhapja e vetëdijshme e diçkaje që supozohej të ishte fjalë për fjalë, por që nuk është”, ka thënë Neuborne, ish-drejtori ligjor kombëtar i Unionit Amerikan për Liritë Civile.
Trumpi ka sinjalizuar qëllimin për të ngritur ndonjë padi eventuale në shtetin amerikan të Floridës, në vend të Mbretërisë së Bashkuar.
Statuti i kufizimeve, ose një afat për të ngritur një padi për shpifje në Mbretërinë e Bashkuar është një vit, i cili ka kaluar tashmë për Trumpin, sepse dokumentari u transmetua në tetor 2024. Florida, nga ana tjetër, ka një afat dyvjeçar.
Ndërsa ligji i Floridës i jep atij më shumë kohë, ngritja e një padie për shpifje në Shtetet e Bashkuara do të thotë që Trumpi përballet me një standard më të ashpër ligjor.
Nëse Trumpi do të ngrejë padi në Florida, ai do të duhet të vërtetojë gjithashtu se dokumentari i BBC Panorama ishte i disponueshëm atje. Deri më tani nuk ka prova që sugjerojnë se është shfaqur në SHBA.
Shansi më i mirë i BBC-së për të hedhur poshtë çdo çështje ligjore në të ardhmen do të ishte të argumentonte se shteti nuk është juridiksioni i duhur sepse nuk kishte një “ekspozim të mjaftueshëm të informacionit në Florida”, sipas Neuborne.
Letra e Trumpit drejtuar BBC-së përfundon se nëse BBC-ja nuk i përmbush kërkesat e tyre deri më 14 nëntor, “presidenti Trump nuk do të mbetet pa alternativë tjetër përveçse të zbatojë të drejtat e tij ligjore dhe të barabarta, të cilat janë të rezervuara shprehimisht dhe nuk hiqet dorë prej tyre, duke përfshirë ngritjen e padisë ligjore për jo më pak se 1,000,000,000 dollarë (një miliard dollarë) dëmshpërblim”.
Por, për t'u dhënë një miliard dollarë në një padi për shpifje në Florida, një paditës si presidenti do të duhej të provonte se në të vërtetë pësoi kaq shumë humbje, ka thënë profesoresha Lyrissa Lidskey e Kolegjit të Drejtësisë Levin të Universitetit të Floridës.
“Duke pasur parasysh se ai fitoi presidencën pas kësaj dhe ka vazhduar të fitojë para në bizneset e tij, duket e pamundur që ai të jetë në gjendje të provojë një miliard dollarë dëmshpërblim”, është shprehur ajo.
Trumpi ka paditur disa organizata lajmesh amerikane për shuma të mëdha parash dhe në disa raste ka siguruar zgjidhje të mëdha.
Në vitin 2025, Paramount, kompania mëmë e CBS Neës, pranoi t'i paguante Trumpit 16 milionë dollarë, pasi ai paditi për një intervistë në emisionin “60 Minutes” me kandidaten e atëhershme presidenciale, Kamala Harris. Trumpi pretendoi se videoja ishte montuar për ta portretizuar më mirë Harrisin - kundër së cilës ai po garonte në atë kohë.
ABC Neës gjithashtu i ka paguar Trumpit 15 milionë dollarë pasi një nga prezantuesit e saj, George Stephanopoulos, pretendoi në mënyrë të rreme në një intervistë se Trumpi ishte shpallur përgjegjës për përdhunim. Presidenti u shpall përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje, të shkrimtares E Jean Carroll në vitin 2023.
Ai ka ngritur një padi kundër New York Times për 15 miliardë dollarë për komentet kritike që gazetarët bënë kundër tij gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2024. Një gjyqtar federal e rrëzoi çështjen në shtator sepse ishte paraqitur me një formular “të papërshtatshëm dhe të palejueshëm”, por i lejoi Trump të paraqiste përsëri një ankesë më të shkurtër.
Paditë e shumta të Trumpit kundër organizatave mediatike i kanë kushtuar pak, ndërsa mund të jenë të kushtueshme për mediat, ka thënë Seth Stern, drejtori i avokimit për Fondacionin e Lirisë së Shtypit.
“Atij nuk i intereson nëse fiton apo jo. Çështja është të frikësojë dhe ndëshkojë ata që i sheh si kritikë ndaj tij”, ka thënë Stern.