Botë

Izraeli vret nëntë nga 10 fëmijët e një mjekeje në Gazë

Gaza

Foto: Associated Press

Një sulm ajror i Izraelit në Gazë ka marrë jetën e nëntë prej 10 fëmijëve të një mjekeje e cila gjatë asaj kohe ishte duke kryer detyrën e saj në spital.

Dr. Alaa al-Najjar, pediatre në spitalin “Al-Tahrir” në qendrën “Nasser”, po trajtonte viktimat e sulmeve të vazhdueshme në territorin palestinez të premten, kur u përball me trupat e nëntë fëmijëve të saj.

Fëmija më i madh i vrarë nga sulmi në Khan Younis ishte 12-vjeçar.

Spitali ka raportuar se edhe fëmija tjetër ka mbetur i lënduar. Po ashtu edhe burri.

Graeme Groom, kirurg britanik që punon në këtë spital, i ka thënë BBC-së se e ka operuar djalin e vetëm që mbijetoi.

Groom ka thënë se atij i është thënë se edhe burri, po ashtu doktor, nuk ka pasur lidhje politike a ushtarake me Hamasin.

Izraeli është lëshuar në ofensivë të ashpër javëve të fundit.

Gaza pos sulmeve të pareshtura, po përballet edhe me mungesë ushqimi e ndihmash. Izraeli ka thënë se bllokadën për ndihma e ka vënë për ta shtuar presionin te grupi militant, Hamas që t’i lirojë pengjet.

Izraeli e ka nisur sulmin ndaj këtij grupi në Gazë, në përgjigje të sulmit të 7 tetorit 2023, në të cilin 1200 persona ishin vrarë e 251 ishin marrë peng.

Ndërkaq, si hakmarrje, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, janë vrarë nga Izraeli rreth 54 mijë njerëz, prej tyre të paktën 16,500 fëmijë.