Botë

Izraeli i kërkon Arabisë Saudite t’i lejojë pelegrinët e Mekës të fluturojnë nga Tel-Avivi

Izraeli i ka kërkuar Arabisë Saudite që të pranojë fluturime direkte nga Tel-Avivi për pelegrinët myslimanë në mënyrë që të shkojnë në Haxh, ka shkruar të enjten “Al Jazeera”.

Ministri izraelit i Bashkëpunimit Rajonal, Esawi Freij, ka thënë se Izraeli ka punuar për të hapur më shumë kontakte midis këtyre dy vendeve, të bazuara kryesisht në interesa tregtare dhe shqetësime të përbashkëta për Iranin.

"Mezi pres të vijë dita kur mund të nisem nga aeroporti Ben-Gurion për në Jeddah për të përmbushur detyrimin tim fetar të pelegrinazhit në Mekë”, tha Freij, që i përket komunitetit mysliman në Izrael.

Arabia Saudite ka pranuar prej kohësh pelegrinët myslimanë nga Izraeli, por për të shkuar në Mekë, këtë duhet ta bëjnë përmes vendeve të treta.

“Kjo përfundon duke kushtuar afërsisht 11.500 dollarë për një qëndrim njëjavor. Pelegrinët nga vendet fqinje arabe paguajnë rreth gjysmën e kësaj shume”, tha Freij.

Arabia Saudite nuk e njeh Izraelin.