Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Italianët ua kthejnë shpinën plazheve private për shkak të çmimeve

Italia

Foto: Associated Press

Italianët kanë nisur t’i braktisin plazhet private këtë verë, për shkak të çmimeve të larta.

Përderisa ata tradicionalisht kanë zgjedhur plazhet e njëjta, me çadra e shtretër në të njëjtin vend, sivjet kjo ndryshoi.

Plazhet private në bregdetin italian ishin për 15 deri 25 për qind më shtrenjtë në korrikun e sivjetme se në vitin e shkuar.

Fabrizio Licordari, president i “Assobalneari Italia”, shoqatë që përfaqëson klubet e plazhit, ka fajësuar rritjen e kostos për jetesë si pasojë e rënies së turizmit.

“Edhe me dy paga, shumë familje po ngecin kah fundi i muajit. Në rrethana të tilla, është e natyrshme që shpenzimet të cilat preken janë ato për luks, argëtim e pushime”, ka thënë ai për agjencinë “Ansa”.

Megjithatë, rënia simbolizon edhe rebelimin ndaj dominimit të plazheve private. Shtretërit e plazhit tani janë 17 për qind më shtrenjtë se para katër vjetësh. Në rajonin e Lazios, për shembull çadra me dy shtretër është rreth 30 euro në ditë, e në disa rajone më luksoze mbërrin deri në 90 euro.

Edhe Plazhi italian ndalon çadrat për personat mes moshave 10 deri 65 vjeç Botë Plazhi italian ndalon çadrat për personat mes moshave 10 deri 65 vjeç

Debati në Itali për çmimet në plazh u shkaktua pasi aktori Alessandro Gassman publikoi një fotografi duke shkruar se rënia në turizëm është për shkak të çmimeve të tepruara.

Kryetari i Federatës së resorteve të plazheve italiane, Maurizio Rustignoli, megjithatë i ka quajtur të pasakta raportimet për shtrenjtim. Sipas tij, kjo ka ndodhur në fare pak zona.