Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Ministri i Jashtëm i Iranit ka thënë se SHBA-ja po tregon “qëllime të këqija dhe mungesë serioziteti në diplomaci”.

Diplomati kryesor i Iranit i tha homologut të tij pakistanez se kërkesat e Washingtonit në negociata dhe kërcënimet ndaj anijeve dhe porteve iraniane janë “shenja të qarta” të mungesës së sinqeritetit të Amerikës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Abbas  Aragchi i bëri këto komente gjatë bisedës me ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar, sipas mediave shtetërore iraniane.

Ky është një tjetër tregues se përplasja mes Washingtonit dhe Teheranit po përshkallëzohet, ndërsa armëpushimi pritet të skadojë të mërkurën. Kjo mund të ndikojë edhe në planet për një raund të ri bisedimesh SHBA-Iran  në Islamabad këtë  javë, shkruan AP.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë iraniane tha se sulmi i SHBA-së dhe kapja e një tankeri me flamur përbën shkelje të armëpushimit.

Transmetuesi shtetëror iranian raportoi se ushtria e vendit e dënoi veprimin e SHBA-së si “pirateri detare” dhe tha se “Irani do të përgjigjet së shpejti”.

SHBA-ja tha se hapi zjarr ndaj anijes dhe e sekuestroi atë sepse kishte kaluar vijën e bllokadës pasi kishte injoruar disa paralajmërime.

Trumpi thotë se marrëveshja me Iranin do të ndodhë shpejt dhe se do të jetë shumë më e mirë

3 j. më parë / 20 pri 2026 22:59
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja po e formon një marrëveshje me Iranin që do të jetë “shumë më e mirë” se marrëveshjet e nënshkruara nga presidentit e mëparshëm amerikanë, raporton "BBC".

Trumpi ka shkruar në “Truth Social”, ndërsa i është referuar Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) midis Iranit dhe SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Kinës, Rusisë dhe Gjermanisë të dakorduar vitin 2015.

Trumpi e quan këtë “një nga marrëveshjet më të këqija të bëra ndonjëherë që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit tonë”, duke shtuar se ishte “një rrugë e garantuar drejt një arme bërthamore”.
Trumpi e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja gjatë mandatit të tij të parë.

Ai pretendon se nëse nuk do ta kishte ndërprerë atë marrëveshje, armët bërthamore do të ishin përdorur “kundër Izraelit, dhe në të gjithë Lindjen e Mesme”.

Në një postim tjetër, ai tha se një marrëveshje me Iranin do të ndodhë “relativisht shpejt!”

Ai gjithashtu mohon se është nën “presion” për të arritur një marrëveshje dhe se është “duke e fituar dukshëm luftën”. 

Ai ka insistuar se bllokada në Ngushticën e Hormuzit do të mbetet në fuqi derisa nuk arrihet marrëveshja. 

Një raund i dytë i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit ishte paralajmëruar për këtë javë në Pakistan. Mirëpo, delegacioni i Iranit s’e ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa delegacioni i SHBA-së ende nuk është nisur për në Islamabad. 
 

Trumpi thotë se Izraeli “kurrë” nuk e bindi të hynte në luftë me Iranin

3 j. më parë / 20 pri 2026 16:39
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në një postim në X, se Izraeli kurrë nuk e kishte bindur të hynte në luftë me Iranin.

Në postimin e tij, ai thekson se sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 i përforcuan mendimin e tij "të përjetshëm" se Irani nuk mund të ketë kurrë armë bërthamore.

Trumpi duket se po trajton një pikë diskutimi që ka fituar terren brenda vendit, se Izraeli në një farë mënyre e mashtroi atë të hynte në një luftë me Iranin, pa një zgjidhje të lehtë.

New York Times, ka raportuar se këshilltarët më të ngushtë të Trumpit, përfshirë kreun e Shtatmadhorisë së SHBA-së, Gjeneralin Dan Caine, ishin të shqetësuar me një parashikim izraelit të paraqitur nga kryeministri Benjamin Netanyahu para fillimit të operacionit.

Për më tepër, ish-kreu i Qendrës Kombëtare Kundër Terrorizmit, Joe Kent, ka thënë shprehimisht në dorëheqjen e tij, dhe shumë herë që atëherë, se ai beson se Izraeli përdori kanale të fshehta për të bindur administratën të nisë sulmet për të ndihmuar në arritjen e objektivave të veta.

Mirëpo Trumpi dhe Shtëpia e Bardhë e kanë mohuar vazhdimisht këtë.

Në të njëjtin postim, Trumpi ka sulmuar median për "gënjeshtra dhe histori të sajuara", duke thënë se "rezultatet në Iran do të jenë të mahnitshme".

Irani thotë se ende s’ka plane për të marrë pjesë në bisedime me SHBA-në

3 j. më parë / 20 pri 2026 14:09
Esmail Baghaei

Teherani zyrtar ka thënë të hënën se "nuk ka plane për rundin tjetër" të bisedimeve të paqes, ndërsa SHBA-ja tashmë ka dërguar një delegacion në Pakistan, të kryesuar nga zëvendëspresidenti JD Vance.

"Ne jemi ende në gjendje lufte. Edhe pse supozohet se është shpallur një armëpushim, është një armëpushim që, për fat të keq, është shkelur vazhdimisht nga Shtetet e Bashkuara që nga fillimi.

Pastaj erdhën deklarata që thoshin se portet dhe anijet e Iranit do të ishin në shënjestër, gjë që vetëm sa i bëri gjërat më të ndërlikuara. Për sa kohë që kjo situatë vazhdon, nuk mund të ecim përpara në mënyrë të njëanshme dhe të flasim për normalizimin e trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit”, ka deklaruar zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei të hënën.

Armëpushimi dy-javor SHBA-Iran pritet të përfundojë të mërkurën. Por edhe nëse bisedimet në Pakistan fillojnë, shanset për një përparim janë të pakta në rastin më të mirë, shkruan BBC.

Deklarata nga Irani vjen pasi SHBA-ja sulmoi dhe sekuestroi një anije mallrash iraniane që po përpiqej të kalonte bllokadën e porteve të Iranit.

Trumpi ka thënë se anijes iu dha "paralajmërim i drejtë për t'u ndalur", por ekuipazhi "refuzoi të dëgjonte, kështu që anija jonë e Marinës i ndaloi ata menjëherë”.

Ushtria e Iranit ka thënë se do të hakmerret. Media iraniane thotë se dronët kanë sulmuar anijet amerikane, megjithëse nuk është raportuar asnjë dëm.

Armëpushimi në rrezik - SHBA-ja sekuestroi një anije iraniane e Irani zotohet për hakmarrje

3 j. më parë / 20 pri 2026 12:26
Iran

Photo: Associated Press

Armëpushimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ndodhet në rrezik pasi SHBA-ja tha se kishte kapur një anije mallrash iraniane që u përpoq të shkelte bllokadën e saj.

Teherani është zotuar të hakmerret teksa ka refuzuar për momentin të bashkohet me bisedimet e reja të paqes.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar të dielën se ekipi amerikan ishte nisur për në Pakistan, ku sipas tij, do të zhvilloheshin bisedime. 

Mirëpo, një burim i lartë iranian i ka thënë Reuters se vazhdimi i bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane po dëmtonte perspektivën e bisedimeve të paqes dhe se aftësitë mbrojtëse të Teheranit, përfshirë programin e tij të raketave, nuk mund të jenë pjesë e negociatave.

SHBA-ja po vazhdon bllokadën ndaj porteve iraniane, ndërsa Irani ka hequr dhe më pas ka rivendosur bllokadën e vet ndaj trafikut detar që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Çmimet e naftës janë rritur me më shumë se 6% të hënën teksa tregtarët shqetësohen se armëpushimi do të dështojë dhe trafiku brenda dhe jashtë Gjirit do të mbetej në minimum.

Momenti kur forcat amerikane kapin anijen me flamur iranian në Gjirin Persik

3 j. më parë / 20 pri 2026 11:14
Anija iraniane

Forcat amerikane kanë kapur një anije mallrash me flamur iranian në Gjirin Persik si pjesë e bllokadës së tyre detare, ka njoftuar të dielën presidenti amerikan, Donald Trump.

Ai ka shkruar në platformën e tij Truth Social se Touska u kap nga Marina Amerikane pasi nuk iu përgjigj një paralajmërimi për t'u ndalur.

Irani ka thënë se kjo ishte një shkelje e armëpushimit dhe se do të hakmerret së shpejti për "aktin e piraterisë së armatosur".

Centcom (Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara) ka publikuar dy video të aksionit.

Ata kanë thënë se një video tregonte anijen iraniane që paralajmërohej para se të sulmohej. Ndërkaq e dyta, thanë ata, tregonte marinsat duke u larguar nga anija e tyre dhe duke hipur në anijen iraniane.

Irani paralajmëron hakmarrje për sekuestrimin e anijes nga SHBA-ja

3 j. më parë / 20 pri 2026 10:45
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Ushtria e Iranit ka paralajmëruar se do të hakmerret pasi Marina Amerikane qëlloi dhe sekuestroi një anije mallrash iraniane në Gjirin e Omanit.

Sekuestrimi ka hedhur dyshime se mund të zhvillohet rundi i dytë i negociatave të planifikuara për këtë javë në Pakistan. 

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance dhe zyrtarë të lartë amerikanë pritej të mbërrinin të hënën në Islamabad, por ministria e Jashtme e Iranit këmbënguli se nuk kishte plane për bisedime. 

Ndërkohë, armëpushimi, për të cilin SHBA-ja dhe Irani e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje, skadon të mërkurën.

Bisedimet përballen me ngërç në pikat kryesore, duke përfshirë kontrollin e rezervave të uraniumit të Iranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ku furnizimi global me energji është bllokuar për javë të tëra.

Kina e shqetësuar me sekuestrimin e anijes iraniane nga SHBA-ja, kërkon bisedime të mëtejme

3 j. më parë / 20 pri 2026 10:40
Iran anija

Photo: Associated Press

Kina ka shprehur shqetësim për "ndërhyrjen me forcë" nga SHBA-ja të një anijeje mallrash me flamur iranian, ka thënë të hënën një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze, duke u kërkuar palëve përkatëse të zbatojnë marrëveshjen e armëpushimit në një mënyrë të përgjegjshme.

"Situata në Ngushticën e Hormuzit është e ndjeshme dhe e ndërlikuar", ka t hënë zëdhënësi Guo Jiakun gjatë një konference të rregullt për shtyp. 

Palët e përfshira duhet të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm dhe "të krijojnë kushtet e nevojshme që tranziti normal përmes ngushticës të rifillojë", ka shtuar ai.

SHBA-ja ka thënë më parë se kishte qëlluar dhe sekuestruar një anije mallrash iraniane që u përpoq të shkelte bllokadën e porteve iraniane. 

Ushtria e Iranit ka thënë se anija kishte udhëtuar nga Kina, dhe është zotuar për hakmarrje kundër asaj që e ka quajtur "pirateri e armatosur nga ushtria amerikane".

Pekini të hënën u ka bërë thirrje gjithashtu palëve përkatëse që "të vazhdojnë të ruajnë vrullin e armëpushimit dhe negociatave".

"Tani që është hapur një dritare për paqe, duhet të krijohen kushte të favorshme për t'i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur", ka thënë Guo.