Botë

Irani thotë se do të mbijetojë edhe nëse bisedimet me SHBA-në dështojnë

Masoud Pezeshkian

Foto: Associated Press

Irani do të jetë në gjendje të mbijetojë nëse negociatat me SHBA-në për programin e tij bërthamor dështojnë të sigurojnë një marrëveshje, ka thënë të hënën presidenti Masoud Pezeshkian, pasi presidenti amerikan, Donald Trump i ka përshkruyar bisedimet e fundjavës me Teheranin si "shumë të mira". 

Negociatat synojnë të zgjidhin një mosmarrëveshje të gjatë mbi ambiciet bërthamore të Iranit, dhe Trumpi e ka kërcënuar Iranin me sanksione ekonomike dhe bombardime, nëse nuk arrihet një marrëveshje e re bërthamore. 

"Nuk është se do të vdesim nga uria nëse ata refuzojnë të negociojnë me ne ose vendosin sanksione”, citohet të ketë thënë Pezeshkian nga media shtetërore për bisedimet me Uashingtonin.

"Ne do të gjejmë një mënyrë për të mbijetuar”, ka shtuar ai. 

Trumpi dëshiron të kufizojë potencialin e Teheranit për të prodhuar armë bërthamore ndërkaq, Irani, nga ana e tij, pohon se programi i tij bërthamor është ekskluzivisht për qëllime civile.