Botë

Irani paralajmëron dështimin e bisedimeve me SHBA-në për programin bërthamor

Iran - SHBA

Bisedimet bërthamore midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara "nuk do të çojnë askund" nëse Uashingtoni këmbëngul që Teherani të hedhë aktivitetin e tij të pasurimit të uraniumit në zero, u citua të hënën nga media shtetërore të ketë thënë zëvendësministri i Jashtëm, Majid Takhtravanchi.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, ka përsëritur qëndrimin e Uashingtonit të dielën se çdo marrëveshje e re midis SHBA-së dhe Iranit duhet të përfshijë një marrëveshje për të mos pasuruar uraniumin, një rrugë e mundshme për zhvillimin e bombave bërthamore. Teherani thotë se programi i tij i energjisë bërthamore ka qëllime krejtësisht paqësore, raporton Reuters.

"Qëndrimi ynë për pasurimin është i qartë dhe ne kemi deklaruar vazhdimisht se është një arritje kombëtare nga e cila nuk do të tërhiqemi”, citohet të ketë thënë Takhtravanchi.

Gjatë vizitës së tij në rajonin e Gjirit javën e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se një marrëveshje ishte shumë afër, por se Irani duhet të lëvizte shpejt.

“Uashingtoni po i ndërlikon negociatat duke shprehur në publik pikëpamje të ndryshme nga ato që diskutohen privatisht gjatë bisedimeve”, ka thënë të hënën zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei.

"Pavarësisht se dëgjuam deklarata kontradiktore nga amerikanët, ne ende po marrim pjesë në negociata”, ka shtuar Baghaei, pasi të dyja palët prisnin që ndërmjetësi Oman të shpallte një rund të pestë bisedimesh.

Gjatë mandatit të tij të parë, 2017-21 si president, Trumpi ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore që vendoste kufizime të rrepta në aktivitetet e pasurimit të Teheranit në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ndërkombëtare.

Trump, i cili e ka quajtur marrëveshjen e vitit 2015 të njëanshme në favor të Iranit, gjithashtu ka rivendosur sanksione gjithëpërfshirëse të SHBA-së ndaj Iranit. Republika Islamike është përgjigjur duke përshkallëzuar pasurimin.