Irani ka “mohuar kategorikisht” pretendimet e Izraelit se ka shënjestruar spitalin Soroka në Beersheba në Izrael.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara i ka quajtur pretendimet e Izraelit si false, transmeton “BBC”.
Misioni ka thënë se sulmet e Iranit janë të “sakta” dhe shënjestër kanë vetëm “objektet që janë direkt të përfshira dhe në përkrahje” të sulmeve izraelite ndaj Iranit.
E ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se “vala e shpërthimit” nga sulmi iranian që shënjestër kishte një bazë të komandës ushtarake izraelite, ka shkaktuar “dëme sipërfaqësore” në spital.
Izraeli ka akuzura Iranin se ka shënjestruar spitalin, ndërsa e ka quajtur këtë sulm “të qëllimshëm” dhe “kriminal”.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit ka thënë se 71 persona janë lënduar gjatë sulmit në spitalin Soroka, ndërsa 271 persona janë lënduar në tërë Izraelin në sulmet e të enjtes.
Izraeli ka raportuar për 24 të vdekur që nga fillimi i konfliktit me Iranin.
E Irani nuk ka dhënë një përditësim të fundit. Në përditësimin e të dielës nga Ministria e Shëndetësisë së Iranit, është thënë se kanë humbur jetën të paktën 224 persona e janë lënduar mbi 1200.
Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA), një organizatë me seli në Washington që merret me të drejtat e njeriut e që e ka përcjellë gjatë Iranin, ka njoftuar se të paktën 639 persona kanë humbur jetën në Iran që nga e premtja.
