Botë

Irani kërcënon me largim nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore

Khamenei

Foto: Associated Press

Irani ka kërcënuar të largohet nga traktati i mospërhapjes bërthamore (NPT), ndërsa sulmet bombarduese të Izraelit kanë hyrë të hënën në ditën e katërt.

Mediat ndërkombëtare raportojnë për potencial që konflikti të shkaktojë një luftë më të gjerë dhe garën e Teheranit për të ndërtuar armë bërthamore, raporton The Guardian.

Numri i viktimave si pasojë e sulmeve po vazhdon të rritet në të dy shtetet, teksa udhëheqësit e G7-s janë mbledhur të hënën në Malet Shkëmbore Kanadeze pa një plan të qartë për t'i dhënë fund konfliktit. 

Ministria e Shëndetësisë e Iranit ka thënë se 224 persona në Iran janë vrarë nga sulmet izraelite, 90% e tyre civilë, dhe më shumë se 1,400 janë plagosur. 

Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka kërcënuar me sulme të mëtejshme bombarduese ndaj Teheranit, ku është raportuar një eksod i banorëve, duke bllokuar rrugët jashtë kryeqytetit. 

Në Izrael, të paktën 23 civilë janë vrarë në sulmet hakmarrëse me raketa të Iranit që nga sulmi i parë i papritur i Izraelit të premten në mëngjes dhe gati 600 të tjerë janë plagosur, sipas burimeve zyrtare.

Të dyja palët kanë synuar objektet e naftës dhe gazit të njëra-tjetrës, duke rritur kërcënimin e katastrofës mjedisore, dhe shpërthime u raportuan të hënën pranë rafinerive të naftës në Teheranin jugor.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, ka njoftuar të hënën se parlamenti i Iranit, Majlis, po përgatiste një projektligj që do ta tërhiqte vendin nga marrëveshja e vitit 1968 e NPT-së, e cila e detyron atë të heqë dorë nga armët bërthamore dhe t'i nënshtrohet inspektimeve ndërkombëtare për të verifikuar pajtueshmërinë. 

Pavarësisht nëse tërhiqet apo jo nga traktati, Baghaei ka shtuar se Teherani mbetet kundër zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë.

Presidenti i vendit, Masoud Pezeshkian, ka këmbëngulur gjithashtu se Irani nuk ka ndërmend të zhvillojë armë bërthamore, por do të ndiqte të drejtën e tij për energji dhe kërkime bërthamore. 

Ai ka thëksuar gjithashtu se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka lëshuar një dekret fetar kundër armëve të shkatërrimit në masë.

Izraeli është i vetmi shtet i Lindjes së Mesme me armë bërthamore dhe nuk e ka nënshkruar NPT-në, por nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht arsenalin e tij. Ai po kërkon të ruajë monopolin e tij me sulme ajrore kundër objekteve bërthamore iraniane, duke pretenduar se Teherani është afër ndërtimit të një bombe.

Vlerësimet e mëparshme nga inteligjenca amerikane dhe mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së nuk gjetën prova se Irani kishte filluar punën për montimin e një arme bërthamore.

Lexo përditësimet tjera
Izrael

Irani intensifikon sulmet ndaj Izraelit pas vrasjes së kreut të inteligjencës

Irani ka intensifikuar sulmet ndaj Izraelit pas vrasjes së kreut iranian të njësisë se Inteligjencës së...