Irani ka intensifikuar sulmet ndaj Izraelit pas vrasjes së kreut iranian të njësisë se Inteligjencës së Gardës së Revolucionit Islamik, Mohammad Kazemi.
Numri i vdekjeve gjatë natës në Izrael nga sulmet iraniane ka shkuar në tetë.
Shërbimet e emergjencës kanë thënë se në mesin e tyre janë dy gra dhe dy burra rreth moshave 70 vjeçare janë vrarë gjatë natës nga sulmet e Iranit.
Ndërkohë bëhet e ditur se 92 persona të lënduar janë evakuuar.
Që prej nisjes së sulmeve të premten, numri i të vrarëve në Izrael është 19. Ndërkaq ministri i Shëndetësisë në Iran ka deklaruar se nga sulmet izraelite janë vrarë 224 persona në gjithë vendin.
Izraeli lëshon njoftim urgjent për banorët e një zone në Teheran
Ushtria izraelite ka lëshuar një paralajmërim urgjent për qytetarët e Teheranit në një zonë, duke thënë se “do të veprojë në këtë zonë në orët në vijim”.
Siç ka raportuar BBC-ja, ushtria e Izraelit do të godasë infrastrukturën ushtarake “të regjimit iranian”.
Zëdhënësi i Mbrojjtjes së Izraelit, Avichay Adraee, ka bashkëngjitur një hartë të paralajmërimit, ku ftoi qytetarët të largohen urgjentisht.
“Prania juaj në këtë zonë rrezikon jetën tuaj”, thuhet në njoftim.
Sulmohet një spital i Iranit nga Izraeli
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka thënë se spitali Farabi në qytetin e Kermanshahut ka qenë target i sulmeve izraelite, duke e quajtur sulmin “fundosje e të drejtës ndërkombëtare dhe krim lufte”.
E drejta ndërkombëtare humanitare thotë se spitalet nuk duhet të sulmohen gjatë konflikteve të armatosura - me disa përjashtime - dhe një shkelje e kësaj mund të përbëjë një krim lufte.
Agjencia e Lajmeve të Republikës Islamike, nuk raportoi për viktima, por tha se ekipet e shpëtimin janë dërguar në spital.
Reparti i kujdesit intensiv mendohet të jetë i prekur rëndë. Spitali Farabi është qendra kryesore e neurologjisë në provincën Kermanshah dhe gjithashtu ka edhe departament psikiatrie.
Putini dhe Erdogani dënojnë “aktin e forcës” të Izraelit ndaj Iranit
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kanë dënuar "aktin e forcës" të Izraelit kundër Iranit, dhe kanë bërë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive gjatë një bisede telefonike të hënën, ka njoftuar Kremlini.
"Të dyja palët shprehën shqetësimin më serioz në lidhje me përshkallëzimin e vazhdueshëm të konfliktit Iran-Izrael, i cili tashmë ka çuar në një numër të madh viktimash dhe është i mbushur me pasoja serioze afatgjata për të gjithë rajonin", thuhet në deklaratën e Kremlinit, raporton The Guardian.
"Udhëheqësit folën në favor të një ndërprerjeje të menjëhershme të armiqësive dhe zgjidhjes së çështjeve të diskutueshme, përfshirë ato që lidhen me programin bërthamor iranian, ekskluzivisht me mjete politike dhe diplomatike”, thuhet më tej në njoftim.
Të dyja palët kanë rënë dakord të qëndrojnë në bashkëpunim të ngushtë, thekson deklarata.
Pakistani mohon pretendimet se Islamabadi mund ta sulmojë Izraelin me armë bërthamore
Një zyrtar i lartë iranian ka shkaktuar alarm global gjatë fundjavës duke pretenduar se Pakistani do të hakmerret me një sulm bërthamor ndaj Izraelit nëse Irani vihet në shënjestër me armë atomike.
Mirëpo, deklarata, e cila dukej se e tërhiqte Pakistanin në një përshkallëzim hipotetik bërthamor, është hedhur poshtë shpejt nga Islamabadi.
Pakistani ka theksuar se nuk është dhënë asnjë siguri e tillë dhe ka riafirmuar politikën e gjatë të vendit të përmbajtjes strategjike.
Gjenerali Mohsen Rezaei, një komandant i lartë i Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) të Iranit dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Iranit, e ka bërë këtë pretendim gjatë një transmetimi në televizionin shtetëror iranian.
"Pakistani na ka thënë se nëse Izraeli përdor një bombë bërthamore ndaj Iranit, atëherë Pakistani do ta sulmojë edhe Izraelin me një bombë bërthamore", ka thënë Rezaei.
Komentet vijnë mes paqëndrueshmërisë në rritje në Lindjen e Mesme, ndërsa tensionet midis Iranit dhe Izraelit janë përshkallëzuar me sulmet e fundit me raketa dhe paralajmërimet për një konflikt më të gjerë.
Në një reagim të shpejtë, ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif ka mohuar se Islamabadi ka lëshuar ndonjëherë një kërcënim të tillë ose kishte dhënë ndonjë siguri bërthamore ndaj Iranit.
Pakistani ka përsëritur mbështetjen e tij politike për Iranin në përballjen e tij me Izraelin.
Pas sulmeve të fundit ndaj Teheranit, Islamabadi është zotuar të "mbështesë Iranin" dhe ka bërë thirrje për unitet mysliman kundër asaj që e përshkroi si agresion izraelit.
Irani ekzekuton një burrë të shpallur fajtor për spiunazh për Izraelin
Irani ka deklaruar se ka ekzekutuar një burrë i cili është shpallur fajtor për spiunazh për agjencinë inteligjencës së Izraelit, të njohur si Mossad.
Zyrtarët thonë se Esmail Fekri, i cili u arrestua në vitin 2023, u përpoq të transmetonte informacion të klasifikuar në këmbim të parave. Ky mendohet të jetë ekzekutimi i tretë i tillë kohët e fundit.
Disa spiunë të tjerë të dyshuar izraelitë janë arrestuar në Iran që nga e premtja, sipas mediave shtetërore iraniane.
Kryegjykata e vendit, Gholamhossein Mohseni Ejei, thotë se duke pasur parasysh konfliktin aktual, gjyqet e bashkëpunëtorëve të dyshuar izraelitë duhet të ndodhin shpejt.
Ndërkohë, dy izraelitë u arrestuan të dielën me dyshimin për spiunazh për inteligjencën iraniane. Autoritetet arrestuan gjithashtu një djalë 13-vjeçar javën e kaluar në Tel Aviv për akuza të ngjashme.
Irani kërcënon me largim nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore
Irani ka kërcënuar të largohet nga traktati i mospërhapjes bërthamore (NPT), ndërsa sulmet bombarduese të Izraelit kanë hyrë të hënën në ditën e katërt.
Mediat ndërkombëtare raportojnë për potencial që konflikti të shkaktojë një luftë më të gjerë dhe garën e Teheranit për të ndërtuar armë bërthamore, raporton The Guardian.
Numri i viktimave si pasojë e sulmeve po vazhdon të rritet në të dy shtetet, teksa udhëheqësit e G7-s janë mbledhur të hënën në Malet Shkëmbore Kanadeze pa një plan të qartë për t'i dhënë fund konfliktit.
Ministria e Shëndetësisë e Iranit ka thënë se 224 persona në Iran janë vrarë nga sulmet izraelite, 90% e tyre civilë, dhe më shumë se 1,400 janë plagosur.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka kërcënuar me sulme të mëtejshme bombarduese ndaj Teheranit, ku është raportuar një eksod i banorëve, duke bllokuar rrugët jashtë kryeqytetit.
Në Izrael, të paktën 23 civilë janë vrarë në sulmet hakmarrëse me raketa të Iranit që nga sulmi i parë i papritur i Izraelit të premten në mëngjes dhe gati 600 të tjerë janë plagosur, sipas burimeve zyrtare.
Të dyja palët kanë synuar objektet e naftës dhe gazit të njëra-tjetrës, duke rritur kërcënimin e katastrofës mjedisore, dhe shpërthime u raportuan të hënën pranë rafinerive të naftës në Teheranin jugor.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, ka njoftuar të hënën se parlamenti i Iranit, Majlis, po përgatiste një projektligj që do ta tërhiqte vendin nga marrëveshja e vitit 1968 e NPT-së, e cila e detyron atë të heqë dorë nga armët bërthamore dhe t'i nënshtrohet inspektimeve ndërkombëtare për të verifikuar pajtueshmërinë.
Pavarësisht nëse tërhiqet apo jo nga traktati, Baghaei ka shtuar se Teherani mbetet kundër zhvillimit të armëve të shkatërrimit në masë.
Presidenti i vendit, Masoud Pezeshkian, ka këmbëngulur gjithashtu se Irani nuk ka ndërmend të zhvillojë armë bërthamore, por do të ndiqte të drejtën e tij për energji dhe kërkime bërthamore.
Ai ka thëksuar gjithashtu se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka lëshuar një dekret fetar kundër armëve të shkatërrimit në masë.
Izraeli është i vetmi shtet i Lindjes së Mesme me armë bërthamore dhe nuk e ka nënshkruar NPT-në, por nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht arsenalin e tij. Ai po kërkon të ruajë monopolin e tij me sulme ajrore kundër objekteve bërthamore iraniane, duke pretenduar se Teherani është afër ndërtimit të një bombe.
Vlerësimet e mëparshme nga inteligjenca amerikane dhe mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së nuk gjetën prova se Irani kishte filluar punën për montimin e një arme bërthamore.
Izraeli thotë se ka kontroll të plotë mbi qiellin e Teheranit, palët vazhdojnë sulmet
Izraeli thotë se ka "kontroll të plotë operativ ajror" mbi kryeqytetin iranian, Teheranin, katër ditë pas nisjes së sulmeve ajrore në vend.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë se kanë shkatërruar më shumë se 120 lëshues raketash të Iranit gjatë katër ditëve të sulmeve të ndërsjella, për të cilët kanë thënë se janë një e treta e totalit të tyre.
Forcat Ajrore Izraelite kanë shkatërruar më shumë se 20 raketa tokë-tokë të dielën në mbrëmje përpara se ato të lëshoheshin drejt territorit izraelit, ka deklaruar të hënën zëdhënësja e IDF-së, Effie Defrin, raporton CNN.
Defrin ka shtuar se forcat ajrore kanë përdorur rreth 50 avionë luftarakë për të goditur rreth 100 objektiva ushtarake në Isfahan, Iranin qendror.
"Në këto sulme, më shumë se 20 raketa u goditën njëkohësisht, minuta para se ato të lëshoheshin drejt territorit të Shtetit të Izraelit", ka thënë ajo.
Izraeli thotë se Irani ka lëshuar rreth 400 raketa balistike në drejtim të tij
Irani ka lëshuar 370 raketa balistike dhe qindra dronë drejt Izraelit gjatë katër ditëve të konfliktit, sipas zyrës së kryeministrit izraelit.
Deri të hënën në mëngjes, 24 persona kanë mbetur të vdekur në Izrael dhe 592 të tjerë të plagosur, me 10 prej tyre në gjendje të rëndë , që nga fillimi i armiqësive të premten, thuhet në deklaratë.
Raketat iraniane, sipas njoftimit, kanë goditur me sukses 30 vende në Izrael.
Ndërkohë, në Iran, të paktën 224 persona janë vrarë që nga e premtja, sipas ministrisë iraniane të Shëndetësisë të dielën, siç citohet nga media shtetërore iraniane.
Irani i bën thirrje SHBA-së të dënojë sulmet izraelite
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghai ka thënë se pas anulimit të bisedimeve bërthamore SHBA-Iran të planifikuara për të dielën, SHBA-ja duhet të "dënojë" sulmet izraelite ndaj Iranit që negociatat të vazhdojnë.
Baghai i ka quajtur edhe një herë negociatat "të pakuptimta" në situatën aktuale dhe ka thënë se SHBA-ja ishte "bashkëpunëtore" në sulme.
Ai ka thënë gjithashtu se nëse parlamenti i Iranit vendos të tërhiqet nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore (NPT), ai do të jetë "detyrues".
Irani gjithmonë ka këmbëngulur që programi i tij bërthamor është paqësor, një pretendim që Izraeli e hedh poshtë.
Von der Leyen flet me Netanyahun: Izraeli ka të drejtë të mbrohet
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në të cilën ka thënë se ka nënvizuar që Izraeli ka të drejtë të mbrohet.
Von der Leyen ka thënë se Irani është burim kryesor i paqëndrueshmërisë rajonale në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, sipas saj ekziston nevoja urgjente për zgjidhje të negociuar.
“Po i ndjekim zhvillimet në Lindjen e Mesme me shqetësim të thellë. E përsërita angazhimin tonë për paqe, stabilitet dhe përpjekje diplomatike që çojnë në uljen e tensioneve. Në këtë kontekst, nënvizova se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Evropa ka qenë gjithmonë e qartë: Irani nuk mund të pajiset kurrë me armë bërthamore. Kemi shprehur vazhdimisht shqetësime të forta në lidhje me programet e raketave bërthamore dhe balistike të Iranit - të njëjtat raketa që godasin pa dallim qytetet jo vetëm në Izrael, por edhe në Ukrainë”, ka shkruar ajo në platformën “X”.
Kryekomisionerja ka shtuar se në këtë bisedë telefonike është diskutuar edhe për Gazën.
“Situata humanitare në Gaza është e papranueshme. E përsërita thirrjen tonë urgjente për të lejuar që të gjitha ndihmat humanitare të arrijnë menjëherë te civilët në nevojë. Rivendosja e armëpushimit dhe lirimi i menjëhershëm i pengjeve, në mënyrë që të arrihet përfundimisht një fund i përhershëm i armiqësive, është domosdoshmëri”, ka shtuar ajo.
Mbyllet ambasada amerikane në Tel Aviv pas dëmtimit nga raketat iraniane
Ambasadori i SHBA-së në Izrael ka raportuar se dega e ambasadës së saj në Tel Aviv pësoi “dëme të vogla” gjatë sulmeve të natës nga Irani.
Mike Huckabee postoi në X se konsullata u prek nga “lëkundjet e shkaktuara nga goditjet me raketa iraniane” pranë ndërtesës në Tel Aviv. Ambasada kryesore e SHBA-së në Jerusalem do të mbetet gjithashtu e mbyllur pasi ende është ende në fuqi një urdhër për strehim.
Asnjë person nga personeli nuk raportohet të jetë lënduar.
Pakistani kërcënon Izraelin me armë bërthamore nëse i përdor ato kundër Iranit
Pakistani ka kërcënuar se do të hedhë një kokë bërthamore mbi Izraelin nëse Benjamin Netanyahu përdor armë bërthamore kundër Iranit, ka thënë një oficer i lartë iranian.
Gjenerali Mohsen Rezaee, oficer i lartë në Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Iranit tha në një intervistë se “Pakistani na ka siguruar se nëse Izraeli përdor bombë bërthamore mbi Iranin, ata do ta sulmojnë Izraelin gjithashtu me bombë bërthamore”, shkruan Daily Mail.
Pakistani dhe Izraeli janë dy nga nëntë vendet që aktualisht posedojnë armë bërthamore, sipas ekspertëve.
Rezaee pretendoi se Pakistani është zotuar të “mbështesë Iranin” dhe i bëri thirrje botës islamike të bashkohet kundër Izraelit.
Deri më tani, Pakistani nuk ka komentuar mbi pretendimet e Rezaee, megjithëse të dielën në mbrëmje ministri i saj i mbrojtjes Khwaja Asif vuri në dukje se bota duket se po luhatet në prag të konfliktit si rezultat i sulmeve në rritje në Lindjen e Mesme.
“Bota perëndimore duhet të shqetësohet për konfliktet e gjeneruara nga Izraeli. Do të përfshijë të gjithë rajonin dhe më gjerë”, ka thënë ai.
Ministri i Mbrojtjes: Banorët e Teheranit do të paguajnë për sulmet ndaj izraelitëve
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka paralajmëruar se banorët e Teheranit do të “paguajnë çmimin” për sulmet iraniane ndaj qytetarëve izraelitë, pasi sulmet gjatë natës vranë pesë persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë.
Israel Katz akuzoi udhëheqësin e Iranit, Ali Khamenei, se qëllimisht ka synuar zonat civile “për të penguar IDF-në të vazhdojë sulmin”.
Katz e quajti Khamenein një “vrasës frikacak” dhe një “diktator mburravec”.
Ai tha se Izraeli do të hakmerrej shumë shpejtë.