Irani e ka dënuar fituesen e Çmimit Nobel për Paqe, aktivisten për të drejtat e njeriut Narges Mohammadi, me mbi shtatë vjet burgim, ka raportuar agjencia “AP”, të dielën.
Dënimet e reja ndaj Mohammadit vijnë në një kohë kur Irani po përpiqet të negociojë me Shtetet e Bashkuara për programin e tij bërthamor për ta shmangur një sulm ushtarak amerikan.
Avokati, Mostafa Nili, e konfirmoi dënimin në platformën X, duke thënë se ai ishte dhënë të shtunën nga një Gjykatë Revolucionare në qytetin e Mashhadit.
“Ajo është dënuar me gjashtë vite burg për ‘tubim dhe bashkëpunim’ dhe me një vit e gjysmë për propagandë, si dhe me një ndalim dyvjeçar udhëtimi”, shkroi ai.
Irani nuk e pranoi menjëherë dënimin. Mbështetësit thonë se Mohammadi është në grevë urie që nga 2 shkurti. Ajo ishte arrestuar në dhjetor në një ceremoni që nderonte Khosrow Alikordin, një avokat dhe aktivist të të drejtave të njeriut, i cili kishte vepruar në Mashhad. Pamjet nga demonstrata e treguan atë duke bërtitur, duke kërkuar drejtësi për Alikordin dhe të tjerët.
Mbështetësit kishin paralajmëruar për muaj të tërë para arrestimit të saj në dhjetor se Mohammadi, 53 vjeçe, rrezikonte të rikthehej në burg pasi kishte marrë leje të përkohshme në dhjetor 2024 për arsye shëndetësore.
Ndërsa ajo leje ishte parashikuar të zgjaste vetëm tre javë, koha e Mohammadit jashtë burgut u zgjat, ndoshta sepse aktivistët dhe fuqitë perëndimore ushtronin presion ndaj Iranit që ta mbante të lirë. Ajo mbeti jashtë edhe gjatë luftës 12-ditore në qershor midis Iranit dhe Izraelit.
Mohammadi megjithatë vazhdoi aktivizmin e saj me protesta publike dhe paraqitje në media ndërkombëtare, përfshirë edhe një aksion në një moment përpara burgut famëkeq Evin të Teheranit, ku ajo ishte mbajtur.
Mohammadi kishte qenë duke vuajtur një dënim prej 13 vitesh e nëntë muajsh për akuza për bashkëpunim kundër sigurisë së shtetit dhe propagandë kundër Qeverisë së Iranit. Ajo gjithashtu kishte mbështetur protestat mbarëkombëtare të nxitura nga vdekja e Mahsa Aminit në vitin 2022.
Mohammadit i ishte ndarë Çmimi Nobel për Paqe në vitin 2023.