Navi Pillay, fituese e sivjetme e Çmimit Nobel për Paqen, i ka quajtur të papranueshme sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Pillay të premten u vlerësua me çmimin për përpjekjet e saj për të promovuar paqen dhe të drejtën ndërkombëtare.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur pakënaqësinë me zgjedhjen e saj dhe disa orë më vonë SHBA-ja ka prezantuar sanksione gjithëpërfshirëse, në përpjekjet për ta paralizuar atë që e përshkroi si institucion mashtrues.
GJNP-ja, në një reagim, u përgjigj duke shkruar se masat përbëjnë sulm ndaj sundimit të ligjit dhe themeleve të rendit ligjor ndërkombëtar. Pillay, ka thënë se ka kaq shumë tension dhe ankth për ekzistencën e vazhdueshme të gjykatave ndërkombëtare, kryesisht Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë.
Ajo ka shtuar se sanksionet janë shpallur nga një vend kundër gjyqtarëve, vetëm për shkak të urdhrave gjyqësorë që ata lëshojnë. “Kjo është e padëgjuar, e papranueshme”, ka thënë ajo.
Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, një ditë më parë i prezantoi sanksionet të cilat përfshijnë ndalim për subjektet amerikane që kryejnë transaksione me GJNP-në.
Sipas tij, vendimi ka qëllim mbrojtjen e sovranitetit të SHBA-së.
Rubio ka akuzuar gjykatën se po kërkon të ndjekë penalisht amerikanët.
SHBA-ja ka sanksionuar tashmë 17 gjyqtarë dhe zyrtarë të GJNP-së, por ky veprim sanksionon vetë gjykatën si institucion dhe synon të pengojë aftësinë e saj për të vepruar financiarisht.