Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja po përgatitet të shpallë sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare

Gjykata Penale Ndërkombëtare

Foto: Associated Press

Administrata e presidentit Donald Trump ka përgatitur sanksione ndaj të gjithë Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) dhe planifikon t’i shpallë ato së shpejti, kanë thënë për Reuters dy burime të njohura me çështjen.

Ky veprim do të përshkallëzonte sulmin e administratës ndaj gjykatës ndërkombëtare që ndjek penalisht krimet e luftës dhe gjenocidin në mbarë botën.

Administrata Trump nuk e ka fshehur përbuzjen e saj ndaj gjykatës dhe ka punuar për ta dobësuar atë.

Zyrtarët amerikanë duan që gjykata të tërheqë urdhërarrestet ndaj liderëve izraelitë, si dhe të heqë dorë nga një hetim i mëparshëm ndaj trupave amerikane në Afganistan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar në korrik një fushatë për izolimin e gjykatës, duke u bërë thirrje vendeve të tjera të tërhiqen prej saj. Uashingtoni zyrtar ka vendosur sanksione ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të GJPN-së, por deri më tani ka shmangur vendosjen e sanksioneve ndaj vetë gjykatës, edhe pse një masë e tillë prej kohësh është konsideruar si një nga opsionet.

Edhe Trumpi po shqyrton sulme ndaj Iranit për të frymëzuar protesta të reja, thonë burimet Botë Trumpi po shqyrton sulme ndaj Iranit për të frymëzuar protesta të reja, thonë burimet

Sanksionet ndaj gjykatës janë përgatitur, kanë thënë burimet, megjithëse koha e saktë e shpalljes së tyre mbetet e paqartë. 

Wall Street Journal ka raportuar, duke cituar zyrtarë, se vendimi mund të finalizohet që këtë javë, gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Vënia në shënjestër e drejtpërdrejtë e të gjithë organizatës, si dhe e subjekteve që bashkëpunojnë me të, mund të dëmtojë rëndë punën e gjykatës.

Çdo sanksion ndaj të gjithë organizatës, i vendosur nga Departamenti amerikan i Thesarit, do t’u ndalonte qytetarëve dhe kompanive amerikane t’i ofronin gjykatës fonde, mallra ose shërbime pa një licencë nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit. 

Ndër operacionet e gjykatës që mund të preken nga sanksionet ndaj të gjithë organizatës janë blerja e shërbimeve të teknologjisë së informacionit dhe sigurimeve, punësimi i hetuesve dhe kryerja e transaksioneve të përditshme financiare, si pagesa e dhjetëra punonjësve amerikanë, kanë paralajmëruar regjistrari dhe presidenti i GJPN-së.

Edhe Trumpi kërcënon partnerët tregtarë të Iranit Botë Trumpi kërcënon partnerët tregtarë të Iranit

Kundërshtimi i Trumpit ndaj gjykatës daton që nga mandati i tij i parë. 

Çështja është rikthyer në vëmendje me një plan për të ndëshkuar zyrtarët e GJPN-së, ide e zhvilluar në nëntor 2024, pasi Trumpi u rizgjodh president dhe GJPN-ja lëshoi një urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin në Gazë.