Si asnjëherë më parë, po rriten zërat e pakënaqësisë në Kremlin kundër luftës në Ukrainë dhe lëvizjeve të presidentit rus Vladimir Putin. Situata ka mbërritur në fazën që ditë më parë një pjesëtar i grupit më të ngushtë përreth Putinit ka ngritur zërin direkt ndaj presidentit rus javëve të fundit për menaxhimin e luftës në Ukrainë, sipas informatave të siguruara nga inteligjenca amerikane, ka raportuar të premten “washingtonpost”.
Kritika e brendshme po shihet si indikacioni i radhës i një përçarjeje të lidershipit rus se situata në luftën në Ukrainë s’po shkon sipas planeve të Moskës, duke e detyruar Putinin muajin e shkuar që të urdhërojë mobilizim të qindra mijëra trupave për ofensivë të re, pas humbjeve në terren.
Informacioni konsiderohet i rëndësishëm sa që u përfshi në raportin ditor të inteligjencës që i jepet presidentit amerikan, Joe Biden, dhe u nda me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, sipas burimeve të mediumit prestigjioz.
Pakënaqësia e pjesëtarit brenda grupit të Putinit raportohet se lidhet me keqmenaxhimin e situatës aktuale dhe gabimeve të bëra në kampanjën ushtarake.
Identiteti i zyrtarit të lartë ende s’është konfirmuar, edhe pse është në raportin e inteligjencës amerikane.
Raporti i ri i inteligjencës amerikane me komente të zyrtarëve rusë, shpërfaq edhe njëherë situatën e tensionuar në kampin e Putinit, aty ku zyrtarët ka kohë të gjatë që hezitojnë t’i japin lajme të rënda për luftën liderit rus, që është më i izoluar se kurdoherë më parë në udhëheqjen e tij 22-vjeçare.
“Qëkur ka nisur pushtimi, jemi duke parë shqetësime në rritje brenda rrethit të ngushtë të Putinit”, ka thënë një zyrtar i inteligjencës amerikane për “Washington Postin”.
Portali i pavarur rus, “Medusa”, përmbajtja e të cilit është e bllokuar në territorin e Rusisë, po ashtu transmetoi bisedimet me burime të Kremlinit që tregojnë frustrimin në rritje në Kremlin. Edhe zyrtarë të lartë të sigurisë në Evropë kanë thënë se ka informata për përçarje të theksuara në sistemin rus.
“Të gjithë dridhen nga frika para tij”, ka thënë një burim nga pushteti për “Medusan”. “Është frikë, pa respekt. Askush s’ka respekt qe sa vite”.