Botë

Ngrihen zërat kundër Putinit në Rusi

Analisti i pavarur dhe ish-fjalimshkruesi i Putinit, Abbas Gallyamov, ka thënë të ketë vërejtur se “kontrolli i Kremlinit për përmbajtjen televizive ka nisur të dobësohet”.

Kritikat kundër liderit rus, Vladimir Putin, janë duke u shpeshtuar në shoqërinë ruse në kohën e aksionit ushtarak që po vazhdon në Ukrainë.

Shtatë anëtarë të këshillit lokal në Shën Petersburg gjatë javës së kaluar i kanë bërë Dumës ruse që të ngritë akuzat për tradhti kundër Putinit për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Pesë tyre janë gjobitur me nga 770 dollarë për fyerje ndaj ushtarëve rusë dhe përhapje të lajmeve të rreme në lidhje me fushatën ushtarake.

Gjobitja e aktivistëve ka nxitur reagimin zinxhir në këshillat komunalë të Moskës. Këshilli lokal i lagjes “Lomonossovsky” të Moskës, gjatë javës së kaluar, ka miratuar rezolutën që bën thirrje për dorëheqjen e Putinit.

“Retorika që po përdorni ju dhe vartësit tuaj për një kohë të gjatë është e mbushur me jotolerancë dhe agresion, të cilat e kanë kthyer shtetin në periudhën e Luftës së Ftohtë”, ka thënë këshilli i Moskës. “Rusia ka nisur të bëhet e frikshme dhe e urryer”.

Këshilli tjetër lokal në lagjen “Akademichesky” të Moskës, gjithashtu i ka bërë thirrje Putinit që ta dorëzojë pushtetin.

“Duhet të bëjmë diçka që të dalim nga kjo situatë. Çdo veprim, si apelet dhe deklaratat, shpresojmë se do ta ndryshojnë situatën”, ka thënë anëtari i këshillit lokal, Vassily Khoroshilov.

Në të njëjtën kohë, mospajtimet për veprimet e ushtrisë ruse kanë nisur të dalin në pah nëpër televizionet shtetërore.

Gjatë debatit të quajtur “Pikëtakimi”, të transmetuar në NTV, Nadezhdin ka bërë thirrje për fundin e luftimeve dhe nisjen e bisedimeve.

Komentet e Nadezhdinit në televizion ishin të dukshme për shkak të veprimeve të Rusisë që të shtypë kritikat kundër vendimit për ta dërguar ushtrinë në Ukrainë.

Pak ditë pasi nisi operacioni ushtarak, Duma miratoi ligjin që dënon kritikat kundër ushtrisë ruse. Çdo kritikë ndaj veprimeve të ushtrisë në Ukrainë, me ligjin e ri cilësohet si “informacion i rrejshëm”.

OVD-Info që monitoron arrestimet politike në Rusi, ka thënë se 90 raste penale janë ngritur për përhapjen e informacioneve të rrejshme për ushtrinë ruse që prej 24 shkurtit kur nisi i ashtuquajturi “operacioni special” në Ukrainë.

“Nuk kishte asnjë rrenë në ato që kam thënë”, ka thënë Nadezhdin për Associated Press. “Ishte deklaratë për faktet absolute”.

Analisti i pavarur dhe ish-fjalimshkruesi i Putinit, Abbas Gallyamov, ka thënë të ketë vërejtur se “kontrolli i Kremlinit për përmbajtjen televizive ka nisur të dobësohet”.

“Kur të dobësohet krejt sistemi, kur nuk ka model të qartë të sjelljes në një situatë krize, të gjithë bëjnë çfarë të duan. Derisa Kremlini nga afër kontrollon lajmet, analistët nisin të thonë çdo gjë që u bie ndërmend”, ka thënë ai.

Tërheqja e shpejtë e ushtrisë ruse nga rajoni i Kharkivit dhe kundërofensiva ukrainase në pjesët e kontrolluara ruse në juglindje të Khersonit, ka nxitur shqetësime se Rusia po zbehet.

Lideri i Partisë Komuniste, partisë së dytë më të madhe në Rusi, të martën ka bërë thirrje për mobilizim dhe që konflikti në Ukrainë hapur të quhet luftë.

Zyrtarët rusë kanë insistuar se aksionet në Ukrainë duhet të quhen si “operacion special ushtarak”.

“Lypset mobilizim në maksimum i forcave dhe burimeve”, ka thënë Gennady Zyuganov.

Pak orë më vonë, ai ka mohuar qëndrimet e tij në lidhje me mobilizimin, duke thënë se donte të thoshte për këtë aksion në ekonominë e shtetit të izoluar.