Vladimir Putini ka anuluar konferencën e tij të rregullt vjetore për shtyp, e cilësuar prej kohësh si një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin e Kremlinit. Në një analizë për Telegraph, Con Coughlin beson se ky është një tregues se gjithçka nuk është mirë në oborrin e Vladimirit.
Për Vladimir Putinin, takimi i zakonshëm festiv me mediat botërore ofron mundësinë e përkryer për të treguar arritjet e tij. Me të gjitha pyetjet e verifikuara me kujdes paraprakisht për t'u siguruar që ai nuk do të kapej në befasi, seancat maratonë, të cilat zgjasin katër orë e gjysmë, i japin atij lirinë për të mbajtur një “masterklasë” në dezinformim.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë një nga shfaqjet e tij më të paharrueshme të vitit 2020, kur u pyet në lidhje me pretendimet se forcat ruse të sigurisë qëndronin pas tentativës për vrasjen e disidentit Alexei Navalny, Putin u përgjigj rastësisht se nëse rusët e dëshironin vërtet vdekjen e tij, atëherë ata do ta "mbaronin" punën. Ai gjithashtu hodhi poshtë sugjerimet se hakerat rusë ndërhynë në procesin zgjedhor të SHBA-së, duke argumentuar se akuzat ishin sajuar nga kundërshtarët e Moskës "për të dëmtuar marrëdhëniet SHBA-Rusi".
Është për të ardhur keq, pas episodeve që Putini përjetoi në Ukrainë, që ngjarja e këtij viti u anulua në mënyrë të papritur. Do të ishte magjepsëse të dëgjoje mendimet e liderit rus se si po përparon "operacioni special ushtarak", termi i tij për pushtimin e Ukrainës, ose sesi territoret e reja të aneksuara të Ukrainës Lindore po shijojnë jetën nën sundimin rus.
Megjithëse nuk kishte asnjë shpjegim nga Kremlini se përse u anulua konferenca për shtyp, supozimi i përgjithshëm është se, duke pasur parasysh poshtërimet e shumta që pësuan rusët gjatë pushtimit dhjetë mujor të Ukrainës, Putini nuk guxon të rrezikojë asnjë dalje publike, madje edhe në një ngjarje koreografike të kujdesshme si komentet vjetore të mediave të tij.
Për shkak se pavarësisht verifikimit, Putini do të trajtonte një sërë çështjesh të vështira, qoftë duke u ofruar ngushëllime familjeve të rreth 100 mijë viktimave ruse në luftime apo duke shpjeguar pse qytetet kryesore strategjike si Kherson nuk janë më nën kontrollin rus.
Kremlini e di se edhe media e tij e sofistikuar propagandistike nuk mund ta fshehë faktin se viti 2022 ka qenë një fatkeqësi e padiskutueshme për Putinin dhe ushtrinë ruse, në atë masë sa që populli rus është tashmë i vetëdijshëm për humbjen që ka pësuar, me sondazhet e fundit të opinionit duke treguar se vetëm një nga katër rusët e mbështet tani këtë "Luftë të Madhe Patriotike".
Duke mbetur pa njerëz dhe pajisje (Putin pranoi në fillim të kësaj jave se rusët po luftojnë për të siguruar veshje për trupat e vijës së parë), rusëve u është dashur të përdorin dronët e prodhuar nga Irani për të synuar infrastrukturën ukrainase. Pjesa tjetër e garderobës ushtarake është bosh.
Megjithatë, efektiviteti i sulmeve me dron po bëhet më pak efektiv çdo ditë pasi ukrainasit po aftësohen për t'i kapur ato përpara se të godasin objektivat e tyre. Dhe aftësia e ukrainasve për t'u mbrojtur së shpejti do të përmirësohet shumë pas vendimit të presidentit amerikan Joe Biden për të autorizuar vendosjen e sistemeve të mbrojtjes raketore Patriot.
Putini nuk është vetëm në mbrojtje në fushën e betejës. Çfarëdo narrative që përkrahësit e tij anembanë botës të sjellin në mendje, sanksionet perëndimore kanë një efekt dobësie në ekonominë ruse, ndërsa shpresat e Kremlinit se financat e tij do të mbështetëshinn çmimet e larta të naftës kanë dështuar të materializohen. Çmimet globale të naftës kanë rënë ndërsa vendet e industrializuara përballen me rënie ekonomike.
Me Putinin që po i mbarojnë shpejt opsionet, ka zëra se lideri rus mund të jetë i interesuar të negociojë një fund të armiqësive.
Një numër liderësh perëndimorë, duke përfshirë Bidenin dhe atë francez Emmanuel Macron, kanë mbrojtur një zgjidhje miqësore. Disa kanë sugjeruar se mund të bëjnë presion edhe ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të hapur bisedimet e paqes me Moskën. Turqia gjithashtu ka lobuar që Moska dhe Kievi të hyjnë në negociata.
Nga këndvështrimi i Putinit, një raund i ri negociatash mbi territorin e diskutueshëm të Ukrainës do të ndihmonte në zbutjen e disa prej problemeve të tij aktuale, gjë që shpjegon pse ai kohët e fundit ka thënë se ishte "i hapur" ndaj kësaj ideje.
Por ndërsa çdo iniciativë që çon në fundin e gjakderdhjes duhet të mirëpritet, është thelbësore që udhëheqësit perëndimorë të mos bien në grackën e vendosur nga Putini. Përpara pushtimit të Ukrainës, Rusia ishte përfshirë në bisedimet e paqes me Kievin si pjesë e marrëveshjeve të Minskut, por pak u arrit për shkak të refuzimit të Moskës për të hequr dorë nga çdo territor që pushtoi ilegalisht në Krime dhe Ukrainën lindore më 2014. Pozicioni i Rusisë mbetet i njëjtë edhe sot.
Për më tepër, çdo zgjidhje e ardhshme e paqes duhet të adresojë krimet e shumta të luftës të kryera nga forcat e Putinit që nga pushtimi. Bisedimet që synojnë t'i japin fund konfliktit mund të duken si një ide e mirë, por jo nëse nënkuptojnë plotësimin e dëshirave të Putinit.