Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Inteligjenca amerikane paralajmëron përshkallëzimin e luftës në Ukrainë gjatë muajve të ardhshëm

Inteligjenca amerikane ka paralajmëruar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të bëhet edhe më e paparashikueshme dhe më e përshkallëzuar në muajt e ardhshëm, raportoi CNN-i të hënën.

Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Avril Haines ka thënë se është vështirë të parashikohet vazhdimi i këtij sulmi, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, përballet me mospërputhje midis ambicieve të tij dhe aftësive aktuale ushtarake të Rusisë.

“Tendenca aktuale rrit gjasat që Presidenti Putin të kthehet me vendosjen e ligjit ushtarak, riorientimin e prodhimit industrial ose veprimet ushtarake potencialisht përshkallëzuese për të arritur objektivat e tij teksa konflikti zvarritet, ose nëse ai mendon se Rusia po humbë në Ukrainë”.

Komuniteti i inteligjencës beson se Putini po përgatitet për një konflikt të zgjatur dhe se qëllimet e tij shtrihen shumë përtej rajonit lindor të Donbasit, ku ushtria e tij aktualisht është e fokusuar pasi u zmbraps nga Kievi në javët e para të luftës.