Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

NYT: Inteligjenca amerikane ndihmoi Ukrainën të shënjestrojë gjeneralët rusë

Inteligjenca amerikane i ka dhënë Ukrainës ndihmën e nevojshme për të shënjestruar dhe vrarë gjeneralët rusë në Ukrainë, raporton “The New York Times”, duke u bazuar në deklarata të zyrtarëve të lartë amerikanë.

Informata të detajuara të lëvizjes së trupave ruse dhe vendndodhjen e tyre janë përfshirë në raportet e inteligjencës amerikane që i kanë dërguar asaj ukrainase. E forcat ukrainase i kanë përdorur këto raporte gjatë sulmeve që kanë çuar në vrasjen e gjeneralëve rusë.

Ukraina pretendon se 12 gjeneralë të lartë rusë janë vrarë në konflikt që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt. Mendohet se mungesa e motivimit në mesin e forcave ruse ka shtyrë gjeneralët të dalin në vijën e frontit.

Në raportin e “The New York Times” nuk bëhet e ditur se në sa nga këto sulme të bëra, forcat ukrainase janë ndihmuar nga inteligjenca amerikane.

Shtëpia e Bardhë ka kritikuar storien e “The New York Times” duke thënë se është e paarsyeshme dhe keqinformuese.

Ndërkohë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Nacionale, Andrienne Watson, ka shtuar se HSBA-ja i ka ofruar ndihmë inteligjencës së Ukrainës për ta mbrojtur vendin e jo me qëllim që të vriten gjeneralët rusë.