Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Indiania lufton me tigrin për ta shpëtuar foshnjën e saj 15-muajshe

Një grua në shtetin qendror të Indisë, Madhya Pradesh, ka pësuar lëndime serioze duke luftuar një tigër, gjatë përpjekjes për ta shpëtuar foshnjën e saj 15-muajshe.

Gruaja u përball me tigrin për disa minuta, përpara se fshatarët të dëgjonin thirrjet e saj për ndihmë dhe të ndërhynin. Si nëna ashtu edhe fëmija po marrin trajtim në spital, raportoi BBC-ja të martën.

Sulmi ndodhi të dielën në periferi të Rezervës së Tigrave në këtë vend.

Sulmet e kafshëve ndaj njerëzve që jetojnë rreth rezervatit të tigrave nuk janë të rralla. Fshatarët me të cilët foli BBC-ja, thanë se përveç tigrave, në fshatrat e tyre kanë hyrë edhe elefantët dhe kanë dëmtuar të korrat.

Në të gjithë Indinë, njerëzit që jetojnë në zonat afër pyjeve dhe parqeve kombëtare kanë qenë dëshmitarë të një rritje të incidenteve me kafshët.

Ekspertët thonë se kjo është pasojë e urbanizimit të shpejtë që po shkatërron habitatet natyrore, duke i detyruar kafshët të hyjnë në fshatra dhe qytete në kërkim të gjahut dhe strehimit.

Edhe Leopardët terrorizojnë fshatrat indiane Botë Leopardët terrorizojnë fshatrat indiane

Në sulmin e fundit, gruaja, Archana Choudhary dhe vogëlushja e saj ishin në një fushë kur një tigër doli nga shkurret dhe sulmoi foshnjën.

“Times of India” raportoi se tigri kishte futur dhëmbët në kokën e foshnjës dhe po përpiqej ta tërhiqte fëmijën kur nëna ndërhyri dhe u përpoq të luftonte tigrin. Britmat e saj për ndihmë tërhoqën fshatarët nga zonat e afërta, të cilët arritën në vend me shkopinj dhe e përzunë tigrin.

Një mjek ka thënë për BBC-në se lëndimet në trupin e foshnjës nuk janë të mëdha, ndërkaq te nëna po.

Image