Në mes Indisë, Pakistanit dhe Kinës, shtrihet rajoni i Kashmirit, një territor i kontestuar nga tri fuqi bërthamore, që shpesh përballet me shkëmbime zjarri nga grupe satelite dhe me raste edhe ndërmjet ushtrive. Derisa shtetet mundohen ta shtrijnë ndikimin e tyre, popullsia atje jeton në mes frikës, pasigurisë dhe rrezikut.
Mohammad Iqbal ishte duke punuar në ndërrimin e natës në një termocentral kur mori telefonatën e tmerrshme nga familja e tij për t’i treguar se predha të artilerisë po shpërthenin përreth shtëpisë së tyre.
“U thashë atyre të shtriheshin në dysheme në katin përdhes së bashku dhe me shpresën që gjërat do të përmirësoheshin deri në mëngjes”, deklaroi Iqbal.
Por agimi nuk sjelli lehtësim nga bombardimet që do të vazhdonin për katër ditë derisa India dhe Pakistani luftuan konfliktin më intensiv në dekada, duke rritur frikën për një luftë totale.
Iqbal, 47-vjeçar, jeton afër qytezës Poonch në Kashmirin e administruar nga India, një hedhje guri larg kufirit de facto me Pakistanin, një zonë kodrinore e veshur me pisha dhe livadhe me lule, të rrethuara nga maja të larta e të akullta.
Por bukuria është iluzion. Kashmiri është një nga rajonet më të militarizuara në botë dhe nxitës për shumë luftëra në mes Indisë dhe Pakistanit, të cilat e pretendojnë të gjithë territorin por e kontrollojnë pjesërisht.
Javën e kaluar fqinjët e armatosur me armë bërthamore shkëmbyen raketa, dronë, dhe bombardime me artileri për katër ditë pas një sulmi muajin e kaluar, ku u vranë turistë indianë në Kashmirin e administruar nga India. Për këto vrasje New Dehli e ka fajësuar fqinjin e vet, akuza të cilat Islamabadi i mohoi.
Dy orë pasi filluan sulmet të mërkurën e kaluar, Iqbal mori lajmet se shtëpia e dhëndrit ishte goditur.
Predha kishte shpërthyer afër një rezervuari të ujit, duke dëmtuar dritaret dhe duke shpërndarë copa të xhamit, duke goditur dhëndrin dhe mbesën e tij.
Pas asaj filloi një përpjekje e furishme për të dërguar të lënduarit në spitalin më të afërt.
“Derisa njerëzit filluan të evakuoheshin kishte pak njerëz në fshat me vetura prandaj njerëzit vetëm hipën në çfarëdo mjeti që mund të gjenin”, tha Iqbal.
“Për disa orë ishte e vështirë të gjejmë të gjithë. Njerëzit u ndanë. Por përfundimisht te spitali familja ime u bashkua”, shtoi ai.
Aty, ai e gjeti dhëndrin e tij, i cili punon si polic, i lënduar rëndë dhe stafin mjekësor në vështirësi për ta trajtuar influksin e të lënduarve.
Dhëndri i Iqbalit mbijetoi. Por dy fqinjët e tij jo.
Pakistani të martën njoftoi se 40 civilë janë vrarë dhe 121 janë lënduar si pasojë e sulmeve nga India, dhe 11 anëtarë të forcave armatosura janë vrarë. E India njoftoi se 15 civilë janë vrarë dhe 59 janë lënduar dhe që ka humbur 5 ushtarë.
Për përafërsisht 15 milionë njerëz që jetojnë në rajonin e kontestuar, shpërthimi i fundit i armiqësive duket se ka shtyrë zgjidhjen politike për shtëpinë e tyre më larg se kurrë.
Por shqetësimi kryesor, në të dy anët e Kashmirit, është se sa gjatë do të rri qielli i qetë.
“Është një qetësi e pasigurt këtu”, ka deklaruar Amir Choudhary, 25-vjeçar, nga qyteza e Akhnoorit në Kashmirin e administruar nga India, orë pasi është arritur armëpushimi.
“Dyqanet janë hapur përsëri dhe disa njerëz që kishin ikur kanë filluar ngadalë të kthehen”, shtoi ai.
“Akoma është ajo frika se çfarë mund të ndodhë kur të vijë nata”, tha ai.
Në anën tjetër të Linjës së Kontrollit, në Kashmirin e administruar nga Pakistani, Samia Ashraf i ndau ndjenjat e njëjta.
“Pasiguria mbijeton akoma. Shumë besojnë se (armëpushimi) nuk është zgjidhje e përhershme”, deklaroi ajo.
Të tjerët janë të paqartë rreth asaj se kur mund të kthehen në shtëpitë dhe fshatrat e tyre.
“Shumë nga ta janë duke pritur se do të zhvillohet situata para se të marrin vendimin për tu kthyer”, tha Akhtar Ayoub, zyrtar lokal administrativ në Luginën Neelum të Pakistanit.
Raja Shoukat Iqbal, i cili jeton afër kufirit de facto, e ka përshkruar armëpushimin si “esencial për popullin e Kashmirit” që ai tha se janë duke paguar një çmim të lartë në dy anët e ndarjes.
“Kjo paqe po ashtu është e nevojshme në nivelin ndërkombëtarë sepse të dy vendet janë fuqi bërthamore, çdo gabim apo zemërim i cilitdo vend mund të shkaktojë vdekjen e dy miliardë njerëzve”, deklaroi ai.
Pikë zjarri
Kashmiri ka qenë pikë zjarri që nga 1947-ta, kur India Britanike u nda nxitimthi në dy pjesë nga ish-kolonizatorët e saj.
Çfarë pasoi ishte lindja e dy kombeve: India me shumicë hindu dhe Pakistani me shumicë myslimane. Miliona njerëz e gjetën veten në anën e “gabuar” të kufirit të ri, duke quar në migrim masiv të furishëm dhe të përgjakshëm që i copëtoi komunitetet.
Kashmiri, një shtet me shumicë myslimane i udhëhequr nga një monark hindu, ishte në një pozicion unik. Pakistani pretendoi territorin, ndërsa princi zgjodhi Indinë.
Të dyja India dhe Pakistani, dy kombe të kapluara nga nacionalizmi i flaktë, besojnë se Kashmiri është pjesë integrale e vendeve të tyre.
Për Pakistanin – i cili është krijuar si shtëpi për myslimanët e Azisë jugore – ndarja e Kashmirit shihet si padrejtësi e madhe historike.
Ushtria e fortë e vendit udhëhiqet nga gjenerali Asim Munir, i njohur për qëndrimin e tij të ashpër ndaj Indisë. Javë para konfliktit të fundit, ai e përshkroi Kashmirin si “vena e qafës” së Pakistanit, sipas raportimeve të mediave lokale.
Për kohë të gjatë India e ka akuzuar Pakistanin për financimin e grupeve terroriste në Kashmir, akuzë e mohuar nga Islamabadi. Pakistani, në ndërkohë, synon të pozicionojë kauzën e dhunës në rajon si rezultat i “shtypjes” së supozuar të New Dehlit.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi ka shtyrë për një pozicion më të pakompromis në tokën e kontestuar.
Në vitin 2019, Qeveria e drejtuar nga partia e tij Bharatiya Janata (BJP) e ndau ish-shtetin në dy territore të unionit, duke i dhënë qeverisë në New Dehli kontroll më të madh mbi rajonin me shumicë myslimane.
“Familja jonë është bashkë”
India dhe Pakistani të dyja pretendojnë fitoren në konfliktin e tyre të fundit.
New Dehli thotë se sulmet në territorin pakistanez – më të thellat që nga lufta e tyre e vitit 1971 – kanë shkatërruar kampe të terrorit të përdorura për të organizuar sulme në Indi, duke përfshirë edhe masakrën e turistëve muajin e kaluar që filloi konfliktin.
Pakistani thotë se forcat ajrore të tij kanë rrëzuar pesë aeroplanë luftarakë indianë, duke përfshirë aeroplanë të avancuar luftarak francez Rafale.
Të hënën, në fjalimin e tij, Modi tha se India “vetëm sa i ka pezulluar sulmet si përgjigje ndaj zonave ushtarake dhe të terrorit në Pakistan”.
“Në ditët e ardhshme ne do të matim çdo hap të Pakistanit”, shtoi ai.
Ata, në dy anët e kufirit, për kohë të gjatë kanë jetuar nën kërcënimin e bombardimeve dhe sulmeve.
Një student nga Uri, në Kashmirin e administruar të Indisë, ka përshkruar se si qëndronte, derisa zhurma e bombardimeve lëkundte shtëpinë e tij javën e kaluar.
“Ne u ulëm në qetësi, jashtëzakonisht të tmerruar. Duke u lutur që caku i radhës të mos jetë familja apo shtëpia jonë”, tha ai.
Studenti, që deshi të mbetej anonim për shkaqe sigurie, përshkroi momentin e gëzuar kur dëgjoi lajmin për shpalljen e armëpushimit.
“Buzëqeshjet pushtuan fytyrat e tona, dhe u përqafuam”, shtoi ai.
“Ne tani duam që ky armëpushim të zgjasë. Të dy vendet duhet të gjejnë zgjidhje afatgjata”, tha ai.
Iqbal, punëtori i termoncetralit, tha se donte të qëndronte optimist pavarësisht dëmit të bërë.
“Ne jemi me fat. Ne vetëm duhet të rindërtojmë shtëpitë tona dhe familja jonë është së bashku. Shpresoj që gjërat të mos rifillojnë. Por nuk ka garanci”, tha Iqbal.