Përleshje të reja të ashpra kanë shpërthyer mes Pakistanit dhe forcave të talebanëve të Afganistanit përgjatë kufirit, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit të brishtë.
Banorët u larguan gjatë natës nga qyteti afgan Spin Boldak, i cili ndodhet përgjatë kufirit që ndan dy vendet.
Një burim në Kandahar i tha BBC-së se një spital lokal kishte pranuar trupat e katër personave. Tre të plagosur janë raportuar në Pakistan.
Përleshje të herëpashershme kanë ndodhur vazhdimisht muajt e fundit, ndërsa qeveria e talebanëve në Afganistan ka akuzuar gjithashtu Pakistanin për kryerjen e sulmeve ajrore brenda territorit afgan.
Të dyja palët kanë konfirmuar se kanë shkëmbyer zjarr gjatë natës, por secila ka fajësuar tjetrën për nisjen e përplasjes katër-orëshe.
Mosharraf Zaidi, zëdhënës i kryeministrit pakistanez Shehbaz Sharif, akuzoi talebanët për “të shtëna të paprovokuara”.
“Forcat tona të armatosura kanë dhënë një përgjigje të menjëhershme, të ashpër dhe të fuqishme. Pakistani mbetet plotësisht vigjilent dhe i përkushtuar për të garantuar integritetin territorial dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, tha ai.
Ndërkaq, një zëdhënës i talebanëve tha se ishte Pakistani ai që “edhe një herë nisi sulmet”, duke theksuar se ishin të detyruar të përgjigjeshin.
Pamjet nga zona tregonin një numër të madh afganësh që iknin në këmbë dhe me automjete, ndërsa banorë të fshatrave përreth po largoheshin nga frika se përleshjet e reja mund të përhapeshin.
Përplasjet e natës ndodhën më pak se dy muaj pasi të dyja palët ranë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari dhe Turqia.
Ai armëpushim i dha fund përleshjeve më të rënda mes Pakistanit dhe talebanëve që nga kthimi i tyre në pushtet në vitin 2021, megjithëse tensionet kanë mbetur të larta.
Qeveria në Islamabad prej kohësh e akuzon talibanin se strehojnë grupe të armatosura që kryejnë sulme në Pakistan.
Ndërkohë, qeveria e talebanëve mohon akuzat dhe thotë se Pakistani po ua faturon të tjerëve “dështimet e tij të sigurisë”.
Javën e kaluar delegacione nga të dyja vendet u takuan në Arabinë Saudite për raundin e katërt të negociatave mbi një marrëveshje më të gjerë paqeje, por nuk arritën të gjenin mirëkuptim.