Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Thirrje për dialog pas përshkallëzimit të tensioneve mes Afganistanit dhe Pakistanit

Tensionet Afganistan–Pakistan: Thirrje për dialog dhe qetësim

Thirrje për dialog kanë bërë shtete të ndryshme pasi Pakistani ka bombarduar kryeqytetin e Afganistanit, Kabulin, dhe dy provinca të tjera të premten, disa orë pas një sulmi ndërkufitar.

Rusia u bëri thirrje Afganistanit dhe Pakistanit të premten që të ndalin menjëherë sulmet ndërkufitare dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes mjeteve diplomatike.

Rusia është i vetmi shtet që e ka njohur zyrtarisht qeverinë talebane të Afganistanit dhe njëkohësisht mban marrëdhënie të mira me Pakistanin, raporton Reuters.

“Natyrisht, përplasjet e drejtpërdrejta ushtarake që kanë ndodhur nuk paralajmërojnë asgjë të mirë. Prandaj shpresojmë që ato të ndalen sa më shpejt të jetë e mundur. Ashtu si të gjithë të tjerët, ne po e ndjekim nga afër këtë situatë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Peskov konfirmoi gjithashtu se po përgatitet një vizitë në Rusi nga kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, pa dhënë një datë të saktë. Agjencia shtetërore e lajmeve RIA raportoi se vizita pritet të zhvillohet javën e ardhshme.

E ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite dhe Pakistanit biseduan sot për të diskutuar uljen e tensioneve, sipas zyrës së jashtme të Riadit. Të dy vendet kanë lidhje të qëndrueshme ushtarake, diplomatike dhe ekonomike, por nuk dihet nëse Arabia Saudite është e përfshirë në ndërmjetësimin e një armëpushimi, raporton The Guardian.

Ministria e jashtme e Kinës bëri të ditur se ka ndërmjetësuar në konflikt përmes kanaleve të saj dhe është “thellësisht e shqetësuar” nga përshkallëzimi. Pakistani është një nga partnerët më të ngushtë të Kinës në rajon, por e konsideron veten një “fqinj miqësor” të Afganistanit.

Edhe “Luftë e hapur”, Pakistani bombardon Kabulin pas përshkallëzimit me Afganistanin Botë 4 muaj më parë “Luftë e hapur”, Pakistani bombardon Kabulin pas përshkallëzimit me Afganistanin

Ndërkaq, sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper tha se Mbretëria e Bashkuar është e shqetësuar nga “përshkallëzimi i konsiderueshëm i tensioneve” mes Afganistanit dhe Pakistanit.

“Ne bëjmë thirrje që të dyja palët të ndërmarrin menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve, të shmangin dëm të mëtejshëm ndaj civilëve dhe të rifillojnë dialogun e ndërmjetësuar”, shtoi sekretarja e jashtme e Mbretërisë së Bashkuar në një postim online.

Ky postim u bë pas një postimi të saj dje, ku shprehu indinjatën për “vazhdimin e kufizimeve të vendosura ndaj grave dhe vajzave në Afganistan”.