Ministri indian i Mbrojtjes, Rajnath Singh, i ka thënë homologut të tij kinez, Dong Jun, se të dyja vendet duhet të synojnë një “zgjidhje të përhershme” sa i përket mosmarrëveshjes së stërzgjatur kufitare, ka raportuar Reuters.
Singh u takua me Junin në margjinat e një takimi të ministrave të Mbrojtjes në kuadër të “Organizatës për Bashkëpunim të Shanghait” në qytetin kinez të Qingdao ditën e enjte, teksa kishte theksuar nevojën për të zgjidhur kontestet mes të dyja vendeve përmes një harte diplomatike të strukturuar, thuhet në njoftimin e Ministrisë indiane të Mbrojtjes.
Dy kombet me numrin më të madh të banorëve në botë, njëkohësisht të dyja fuqi bërthamore, ndajnë një kufi prej 3,800 kilometrash, kryesisht të padefinuar dhe të kontestuar në Himalaje.
Edhe pse ky kufi ka qenë kryesisht paqësor në dekadat e fundit, një përplasje vdekjeprurëse mes trupave të tyre në vitin 2020 kishte rezultuar me vdekjen e 20 ushtarëve indianë dhe katër ushtarëve kinezë.
Pas përplasjes të dyja ushtritë vendosën dhjetëra mijëra trupa në male, deri në arritjen e pajtimit të plotë në muajin tetor për t’u tërhequr, veprim ky që solli përmirësim në marrëdhëniet ndërshtetërore.
Gjatë takimit me Dong, Singh gjithashtu ka bërë thirrje për kapërcimin e mungesës së besimit të krijuar pas përplasjes së vitit 2020, thuhet më tutje në njoftimin e New Delhit zyrtar.