Botë

India deporton ilegalisht myslimanët nën kërcënim të armës

india

Foto: The Guardian

Qeveria indiane është akuzuar për deportim ilegal të myslimanëve indianë në Bangladesh, duke shkaktuar kështu frikë për një fushatë përshkallëzuese të persekutimit.

Mijëra njerëz, shumica myslimanë që dyshohet se janë imigrantë të paligjshëm nga Bangladeshi, janë marrë nga policia javët e fundit, sipas grupeve për të drejtat e njeriut, me shumë prej tyre të privuar nga procesi i rregullt ligjor. Ata janë dërguar përtej kufirit në Bangladesh, ku shumica janë myslimanë.

Qytetarët indianë janë në mesin e atyre që pretendohet se janë deportuar paligjshëm. Ata që u përpoqën t’i rezistonin largimit, u kërcënuan me armë nga forcat e sigurisë kufitare, sipas rrëfimeve të disa prej të deportuarve, raportoi The Guardian. 

Rreth 200 persona janë rikthyer në Indi nga Bangladeshi pasi janë vërtetuar se janë shtetas indianë dhe janë detyruar të ecin për kilometra për të arritur në shtëpi.

Ministria e Jashtme e Bangladeshit ka thënë se ka kontaktuar autoritetet indiane dhe u ka kërkuar që të ndalojnë të dërgojnë njerëz përtej kufirit pa konsultim paraprak.

Përgjatë 11 vjetësh, qeveria e Narendra Modit është kritikuar nga grupet për të drejtat e njeriut për persekutim dhe shtypje të myslimanëve.