Botë

Hamasi kushtëzon ndihmat për pengjet me ndaljen e sulmeve nga Izraeli

Gaza

Foto: Associated Press

Hamasi ka thënë të dielën se është i përgatitur të koordinohet me Kryqin e Kuq për të shpërndarë ndihmë për pengjet izraelite që mban në Gazë, nëse Izraeli përmbush disa kushte të caktuara.

Deklarata ka ardhur pak pasi një video e publikuar që tregonte një nga pengjet shumë të dobësuar, ka nxitur kritika të ashpra nga fuqitë perëndimore, raporton Reuters.

Hamasi ka thënë se çdo koordinim me Kryqin e Kuq varet nga hapja e përhershme e korridoreve humanitare nga Izraeli dhe ndalimi i sulmeve ajrore gjatë shpërndarjes së ndihmës për palestinezët në Gazë.

Sipas zyrtarëve izraelitë, 50 pengje vazhdojnë të mbahen në Gazë teksa vetëm 20 prej të tyre besohet se janë gjallë. Hamasi, deri më tani, ua ka ndaluar organizatave humanitare të kenë çdo lloj qasje te pengjet dhe familjet kanë pak ose aspak detaje për gjendjen e tyre.

Të shtunën, Hamasi ka publikuar videon e dytë brenda dy ditësh të pengut izraelit, Evyatar David. Në të, David duket shumë i dobët, teksa shihet duke hapur një gropë që, siç thotë ai në video, është për varrin e tij.

Videoja e Davidit është kritikuar nga fuqitë perëndimore dhe ka indinjuar izraelitët. Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja janë mes vendeve që kanë shprehur zemërim, teksa ministria e Jashtme e Izraelit ka njoftuar se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një seancë të posaçme të martën në mëngjes mbi çështjen e situatës së pengjeve në Gazë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të dielën se i kishte kërkuar Kryqit të Kuq t'u jepte ndihmë humanitare pengjeve gjatë një bisede me kreun e delegacionit lokal të KNKK-së me seli në Zvicër.

Ndërkohë, gjashtë persona të tjerë kanë vdekur nga uria ose kequshqyerja në Gazë gjatë 24 orëve të fundit, ka njoftuar ministria e Shëndetësisë të dielën, teksa Izraeli ka thënë se ka lejuar dërgimin e karburantit në enklavë, në prag të një katastrofe humanitare pas pothuajse dy vitesh lufte.

Agjencitë e OKB-së thonë se dërgesat nga ajri janë të pamjaftueshme dhe se Izraeli duhet të lejojë shumë më tepër ndihmë nga toka dhe të hapë qasjen në territor për të parandaluar urinë midis 2.2 milionë njerëzve të saj, shumica e të cilëve janë të zhvendosur mes sipërfaqeve të mëdha të rrënojave.