Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka paralajmëruar se OKB-ja po përballet me rrezikun e një kolapsi financiar, për shkak të mospagesës së kontributeve nga shtetet anëtare.
Ai ka deklaruar se organizata ndodhet në një krizë financiare që “po thellohet dhe po rrezikon zbatimin e programeve”, duke shtuar se fondet mund të shterojnë deri në muajin korrik.
Në një letër drejtuar të gjitha 193 shteteve anëtare, Guterres ka kërkuar që ato të respektojnë pagesat e detyrueshme ose, në të kundërtën, të ndërmarrin një reformë të rregullave financiare të organizatës për të shmangur kolapsin.
Kjo situatë vjen pasi Shtetet e Bashkuara, kontribuesi më i madh financiar i OKB-së, kanë refuzuar të kontribuojnë në buxhetin e rregullt dhe atë të misioneve paqeruajtëse, si dhe janë tërhequr nga disa agjenci, të cilat i kanë cilësuar si “shpenzim të panevojshëm të parave të taksapaguesve”. Edhe disa shtete të tjera janë në vonesë me pagesat ose kanë refuzuar t’i kryejnë ato.
Megjithëse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi ndryshim të pjesshëm të sistemit financiar në fund të vitit 2025, organizata vazhdon të përballet me një krizë të rëndë likuiditeti, e përkeqësuar edhe nga një rregull që e detyron të rimbursojë fonde që në fakt nuk i ka marrë kurrë.
Në selinë e OKB-së në Gjenevë, janë vendosur njoftime paralajmëruese për situatën financiare, ndërsa për të kursyer shpenzimet, shkallët lëvizëse shpesh mbahen të fikura dhe ngrohja është reduktuar.
Guterres ka theksuar se OKB-ja ka përjetuar kriza financiare edhe më herët, por se kjo e tanishmja është “krejtësisht ndryshe”.