Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Grupet opozitare në Poloni propozojnë Donald Tuskun për kryeministër

Liderët e partive opozitare në Poloni, që së bashku fituan numrin më të madh të votave në zgjedhjet e 15 tetorit, kanë bërë të ditur të martën se Donald Tusk është kandidati i tyre për kryeministër, raporton agjencia AP. Ata kanë thënë se synojnë të formojnë sa më shpejt Qeverinë.

“Ne jemi të gatshëm të krijojmë qeverinë”, ka thënë Tusk, ish-kryeministri polak që kryeson “Platformën Qytetare” në Poloni.

Tusk ka falënderuar liderët tjerë të partive opozitare për besimin e tyre.

Njoftimi ka ardhur pasi që presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, njoftoi për dy ditë konsultime me përfaqësuesit e partive që fituan ulëse në legjislaturën e re.

Tusk, një centrist pro-BE që ishte edhe ish-president i Këshillit Evropian, është takuar me Dudan.

Zhvillimet e të martës shënojnë një hap të rëndësishëm drejt formimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve të 15 tetorit.

Partitë opozitare fituan 54 për qind të vota në zgjedhjet e fundit dhe do të kenë një shumicë prej 248 ulëseve nga 460 ulëse sa janë në dhomën e ulët të Parlamentit të Polonisë, që njihet si Sejm. Ata morën edhe më tepër përqindje të ulëseve në Senat.

Edhe Qeveria e Tuskut i mbijeton votëbesimit Botë Qeveria e Tuskut i mbijeton votëbesimit

Se kur do të marrë drejtimin qeveria e re varet nga presidenti Duda.

Duda duhet të ftojë takimin e parë të legjislaturës së re, diçka që nuk duhet të ndodhë më vonë se 30 ditë pas zgjedhjeve. Duda duhet të kërkojë edhe emrin e kandidatit për kryeministër për të tentuar të krijojë një kabinet qeveritar që do të merrte votat e mjaftueshme në Sejm.

Por mund të vonohet deri në dhjetor derisa të betohet qeveria e re, nëse Duda vendos të presë gjatë.