Botë

Qeveria e Tuskut i mbijeton votëbesimit

Qeveria e Tuskut i mbijeton votëbesimit

Foto: Associated Press

Qeveria e kryeministrit polak, Donald Tusk, i ka mbijetuar votëbesimit para parlamentit të mërkurën, në përpjekje për ta konsoliduar mandatin pas fitores së opozitës në zgjedhjet presidenciale, ka raportuar AP.

Ligjvënësit vendosën me 243 vota pro dhe 210 kundër në dhomën e ulët të parlamentit, i cili ka 460 ulëse në total, përderisa mbështetësit u ngritën në këmbë duke e duartrokitur dhe thirrur emrin e Tuskut.

Tusku ishte ai që e kërkoi vetë votëbesimin, tek kishte thënë se Polonia ndodhet në një realitet tjetër politik dhe se po kërkonte një fillim të ri, pasi aleati i tij më i ngushtë politik, Rafal Trzaskowki, humbi në zgjedhjet presidenciale ndaj kundërkandidatit nacionalist Karol Nawrocki.

I mbështetur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, Nawrocki do të zëvendësojë presidentin në largim, Andrzej Duda, një tjetër politikan konservator i cili në mënyrë të vazhdueshme ka bllokuar reformat e Tuskut.

“Po kërkoj një votëbesim me bindje të plotë se ne kemi një mandat për të qeverisur, për të marrë përgjegjësinë e plotë për atë që po ndodh në Poloni”, kishte thënë Tusku më herët gjatë ditës.

Megjithëse ai e mbijetoi votimin e së mërkurës, ekspertët vlerësojnë se rruga përpara duket e vështirë.
Ekzistojnë pikëpyetje mbi atë që Tusk mund të arrijë realisht para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të planifikuara për fundin e vitit 2027, dhe nëse koalicioni do të arrijë të mbijetojë deri atëherë, në një kohë kur e djathta ekstreme po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet.