Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjykata e OKB-së sot do të vendosë për masat ndaj Izraelit pas akuzave për gjenocid

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së të premten (sot) do të vendosë mbi kërkesën e Afrikës së Jugut për masa urgjente kundër Izraelit, i cili po akuzohet për gjenocid në operacionin e tij në Gaza.

Vendimi i sotëm i GJND-së nuk do të merret me akuzën thelbësore, nëse ka ndodhur gjenocid, por do të fokusohet në ndërhyrjen urgjente që ka kërkuar Afrika e Jugut, shkruan Reuters.

Afrika e Jugut i ka kërkuar GJND-së të marrë nëntë masa urgjente, të cilat veprojnë si një urdhër ndalimi ndërsa gjykata do ta shqyrtojë çështjen në tërësi, gjë që mund të zgjasë me vite.

Ndër masat që ka kërkuar Afrika e Jugut është një ndalim i menjëhershëm i operacionit ushtarak të Izraelit, i cili ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës teksa sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza deri më tani kanë vdekur mbi 25 mijë njerëz.

Izraeli i ka kërkuar gjykatës që ta refuzojë çështjen në mënyrë të përgjithshme, teksa një zëdhënës i qeverisë izraelite të enjten deklaroi se presin që GJND-ja t’i hedhë poshtë këto akuza që sipas tij janë të rreme.

Edhe Gjykata e OKB-së do të dëgjojë çështjen e gjenocidit kundër Izraelit Botë Gjykata e OKB-së do të dëgjojë çështjen e gjenocidit kundër Izraelit

Afrika e Jugut dy javë më parë deklaroi se ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit synon shkatërrimin e popullsisë në Gaza. Izraeli në vazhdimësi i kanë kundërshtuar akuzat duke thënë se e respekton ligjin ndërkombëtar dhe se kanë të drejtë të mbrohen.

Gjykata do të japë vendimin e saj në orën 13:00, në një seancë dëgjimore që pritet të zgjasë rreth një orë.