Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka mbrojtur vendimin për të klasifikuar partinë Alterantive für Deutschland (AfD) si parti ekstremiste e krahut të djathtë, pas kritikave të forta nga Shtëpia e Bardhë, ka raportuar “BBC”.
Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance ka akuzuar “burokratët për rindërtimin e Murit të Berlinit”, ndërsa sekretari i Shtetit, Marco Rubio e ka quajtur klasifikimin si “tirani e maskuar”.
Në një lëvizje të pazakontë, Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka replikuar drejtpërdrejtë në shkrimin e Rubios në platformën “X” duke shkruar: “Ne kemi mësuar nga historia jonë që ekstremizmi i krahut të djathtë duhet të ndalohet”.
Inteligjenca gjermane që ka bërë klasifikimin ka gjetur se kuptimi mbizotërues i AfD-së për njerëzit bazuar në etni dhe prejardhje është kundër rendit të lirë demokratik të Gjermanisë.
AfD-ja ka dalë e dyta në zgjedhjet federale në shkurt, duke fituar rekord prej 152 ulëseve në parlamentin me 630 ulëse me 20.8% të votave.
Dy liderët e partisë, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla deklaruan se vendimi ishte “qartësisht i motivuar politikisht” dhe një “goditje e fortë ndaj demokracisë gjermane”.
Klasifikimi i ri i jep autoriteteve fuqi më të madhe për monitorimin e AfD-së duke përdorur taktika si përgjim të telefonave dhe agjentë të rekrutuar.