Botë

Shërbimi Sekret i Gjermanisë e shpall AfD-në si ekstremiste

Alice Weidel - bashkëudhëheqëse e partisë

Alice Weidel - bashkëudhëheqëse e partisë

Foto: Associated Press

“Alternativa për Gjermaninë” bën thirrje për dëbimin e qytetarëve me prejardhje të huaj, akuzohet se mban qëndrime të hapura proruse, se kundërshton zgjerimin e Bashkimit Evropian, kërkon faktikisht largimin e Gjermanisë nga aleanca transatlantike dhe koncentrimin në shtetin nacional. Shefi i AfD-së Tino Chrupalla ka vizituar Beogradin dhe është takuar me eksponentë të regjimit të atjeshëm. Përfaqësues të lartë të AfD-së e kanë quajtur Kosovën “shtet të dështuar”

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës në Gjermani, siç quhet Agjencia e Inteligjencës së Brendshme e këtij vendi, ka njoftuar të premten se ka vendosur ta shpallë partinë e djathtë “Alternative für Deutschland” (AfD) si një “organizatë të konfirmuar ekstremiste të djathtë”.

Deri më tani vetëm disa degë të AfD-së në lande të veçanta të Gjermanisë ishin klasifikuar si të tilla, ndërsa partia në nivel kombëtar kishte një status më të ulët, si “e dyshuar”. Tani mbarë partia konsiderohet si ekstremiste e djathtë. 

Revista “Spiegel” bëri të ditur se kjo ndryshon qasjen e autoriteteve të sigurisë ndaj partisë. Klasifikimi i ri i mundëson autoriteteve përcjelljen e aktiviteteve të partisë, përfshirë edhe përgjimin e telefonave të funksionarëve të partisë, observimin e takimeve dhe rekrutimin e informatorëve. Raporti i Agjencisë së Inteligjencës së Brendshme përmban 1100 faqe me dëshmi mbi ekstremizmin e AfD-së.

“Koncepti i popullit i bazuar në etnicitet dhe prejardhje, i cili mbizotëron brenda partisë, nuk përputhet me rendin e lirë demokratik”, thuhet në deklaratën e agjencisë, sipas Reuters. Ai koncept “synon të përjashtojë grupe të caktuara të popullsisë nga pjesëmarrja e barabartë në shoqëri, t’i nënshtrojë ata ndaj një trajtimi që bie ndesh me kushtetutën, dhe në këtë mënyrë t’u japë një status juridik të nënshtruar”, citon më tej Reuters. Sipas raportit, AfD nuk i konsideron qytetarët gjermanë me prejardhje nga vende kryesisht myslimane si anëtarë të barabartë të popullit gjerman.

Televizioni publik gjerman ARD vuri në dukje se klasifikimi i AfD-së si parti tërësisht ekstremiste mund të “rindezë debatin për ndalimin e AfD-së” - megjithëse ky nuk është një proces automatik, pasi kërkon që parlamenti, dhoma e landeve dhe qeveria të fillojnë një proces duke kërkuar nga gjykata kushtetuese federale ndalimin e AfD-së.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare AfD-ja doli e dyta duke marrë numrin më të lartë të votave në historinë e saj. Pas zgjedhjeve, AfD-ja madje ka prirë në disa anketa.

Fillimisht, sipas “Spiegel”, Agjencia e Inteligjencës së Brendshme kishte planifikuar që në fund të vitit të kaluar të njoftonte nëse dyshimet kundër partisë ishin forcuar dhe nëse ajo do të klasifikohej si organizatë e “konfirmuar” e ekstremit të djathtë. Megjithatë, prishja e koalicionit qeveritar në Gjermani dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare ndryshuan planin kohor. Për të mos interferuar në zgjedhje dhe për të garantuar shanse të barabarta për të gjitha partitë, Agjencia e Inteligjencës e shtyu publikimin e raportit pas zgjedhjeve.

AfD-ja akuzohet se mban qëndrime të hapura proruse, se kundërshton zgjerimin e Bashkimit Europian, kërkon faktikisht largimin e Gjermanisë nga aleanca transatlantike dhe koncentrimin në shtetin nacional.

Shefi i AfD-së Tino Chrupalla ka vizituar Beogradin dhe është takuar me eksponentë të regjimit të atjeshëm. Përfaqësues të lartë të AfD-së e kanë quajtur Kosovën “shtet të dështuar”. AfD-ja po ashtu disa herë është “interesuar” mbi projektet gjermane për mbështetjen e aktiviteteve të shoqërisë civile në Shqipëri dhe Kosovë. 

Siç njofton “Spiegel”, vitin e kaluar në fushatat zgjedhore për parlamentet e landeve në Brandenburg, Thüringen dhe Sachsen (Saksoni) në Gjermaninë Lindore, AfD-ja nuk u përpoq të fshehë qëndrimet e saj. Dega e landit të Brandenburgut publikoi reklama propaganduese me përmbajtje etnike, ku jeta e të bardhëve biondë shfaqej e shkatërruar nga individë me pamje të errët e me shikime të ashpra. Këto reklama - me imazhe të krijuara me ndihmën e inteligjencës artificiale - sugjeronin se këta individë do të shndërronin sheshet në tregje droge dhe stacionet hekurudhore në vendngjarje kriminaliteti.

Në fushatën për zgjedhjet parlamentare në nivel të Gjermanisë, AfD ashpërsoi retorikën. Kryetarja e AfD-së Alice Weidel përdori nocionin luftarak “remigration”, i cili nënkupton dëbimin masiv të të huajve nga Gjermania. Weidel po ashtu tha se Adolf Hitleri ka qenë komunist, duke manipuluar në mënyrë të vrazhdë historinë. Zyra e AfD-së shtypi zemra të kaltra me sloganin “Alice für Deutschland”, i cili bazohej në parullën naziste “Alles für Deutschland” (Gjithçka për Gjermaninë). Përkundër kësaj fushate, AfD-ja korri sukses të madh në zgjedhje, duke dalë e dyta. Në parlamentin e ri gjerman, AfD-ja ka 152 deputetë, dyfish më shumë se në legjislaturën e kaluar.