Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjermania kritikohet për mosluftim të pastrimit të parave

Gjermania është kritikuar nga një mbikëqyrës global për dështimin për të bërë sa duhet për të luftuar pastrimin e parave.

Shteti, ndër më të fuqishmit në botë, është kritikuar se po bën shumë pak për të ndjekur penalisht krimin, pavarësisht se është një nga qendrat më të mëdha të parave në botë, raportoi Reuters të enjten.

Raporti i Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), një organ global që liston vendet duke nisur nga Shtetet e Bashkuara e deri te Kina lidhur me trajtimin e krimit financiar, i ka dhënë një goditje pozitës së Gjermanisë, e cila krenohet me reputacion për ndershmëri.

Vlerësimi nxjerr në pah një sërë dështimesh, duke përfshirë mungesën e kontrollit të atyre që merren me shuma të mëdha parash, si agjentët e pasurive të patundshme, duke theksuar se ndonëse Gjermania i kuptonte rreziqet, ajo nuk kishte bërë mjaftueshëm për t'i trajtuar ato.

FATF-ja kritikoi shkëputjen e mbikëqyrjes si dhe mungesën e personelit për trajtimin e parave të pista.

Rezultati i Gjermanisë mbetet shumë pas Francës, të cilën FATF-ja gjithashtu e vlerësoi së fundmi.

Renditja e dobët do të thotë se Gjermanisë tani e tutje do t'i duhet të raportojë çdo vit në organizëm lidhur me përparimin e saj në trajtimin e mangësive.

Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner, e ka pranuar problemin dhe është zotuar ta centralizojë kontrollin, të instalojë staf shtesë dhe të modernizojë teknologjinë e autoriteteve.

"Ne merremi me peshqit e vegjël, ndërsa peshqit e mëdhenj ikin”, u tha ai gazetarëve në fillim të kësaj jave përpara publikimit të raportit, duke shtuar se do të shtonte përpjekjet për "të ndjekur paratë e pista".

FATF-ja tha se Gjermania ndoqi penalisht rreth 1.000 njerëz për pastrim parash në vitin 2020, pavarësisht se hapi më shumë se 37.000 hetime, një nivel dënimi që ajo e konsideroi "shumë të vogël".

Gjermania ka më shumë banka se çdo vend tjetër në Bashkimin Evropian, ndërsa shumë gjermanë preferojnë përdorimin e parave të gatshme, të cilat sipas FATF-së përbëjnë tri të katërtat e transaksioneve.

FATF-ja gjithashtu shënoi rreziqet e pastrimit të parave nga pagesat “hawala”, që do të thotë “transferim” në arabisht. Sistemi përdoret gjerësisht në Lindjen e Mesme, sipas së cilit pagesat kryhen përmes një rrjeti të besuar agjentësh që operojnë jashtë bankave.

Gjermania ka 11 milionë emigrantë.

Artikuj të ngjashëm