Gjermania, motori ekonomik i Evropës dhe një prej vendeve më të pasura të saj, po përballet me një rritje të varfërisë.
Gjithmonë e më shumë njerëz atje po përballen me skamjen, e madje disa janë duke humbur edhe shtëpitë e tyre, raporton “DW”.
Sabine Albrecht, pastore e bashkësisë Tabor që ndihmon një pjesë të këtyre të pastrehëve, thotë se shume prej tyre vijnë nga Evropa Lindore. Një pjesë madje edhe kanë punuar, por në kushte të pasigurta pune. Të tjerë kanë probleme varësie, përvoja dhune apo sëmundje psikike.
“Mungesa e strehës është një problem serioz social”, thotë Werena Rosenke, drejtoreshë menaxhuese e Shoqatës Federale për Ndihmën e të Pastrehëve (BAGW). Ajo shprehet se arsyeja kryesore është se ka shumë pak hapësirë banimi, e cila të jetë e përballueshme financiarisht. BAGW është organizata ombrellë për shërbimet dhe strukturat e ndihmës për strehimin emergjent në Gjermani.
Sipas BAGW, për vitin 2022 në Gjermani ishin të pastrehë 607 mijë njerëz. Prej tyre rreth 50 mijë jetonin në rrugë, pa asnjë strehë.
Zyra Federale e Statistikave regjistron vetëm njerëzit në strehimore dhe numrin shkon në 372.060 vetë. Qeveria gjermane thotë se synimi i saj është të ndërtojë 400 mijë banesa të reja në vit; 100 mijë prej tyre duhet të jenë banesa sociale. Por duket se është shumë larg përmbushjes së këtij objektivi.