Botë

Strehët për mbrojtjen e grave tejet të ngarkuara në Gjermani

gratë

Jo vetëm gjatë ditëve të festave strehëzat e grave janë të mbingarkuara dhe kanë mungesë vendesh. Pse kjo situatë dhe çfarë duhet të ndryshojë urgjentisht?

“Pothuajse çdo ditë na duhet t'u themi s'kemi mundësi grave ose familjeve", thotë në një intervistë për DW Navina Reichardt, punonjëse sociale pranë NGO-së "Hilfe für Frauen in Not – Frauenhaus Bonn e.V.” (Ndihmë për Gratë në Nevojë – Streha e Grave në Bonn). "Jo se ato nuk kanë nevojë për mbrojtje, por sepse nuk kemi më vend”.

Ndonjëherë vjen një grua vetëm, por shpesh vijnë edhe nëna me fëmijë. Bisedat përfundojnë duke u thënë të shkojnë në qytete ose lande të tjera. “Dhe na duket sikur po i kthejmë gratë përsëri tek dhuna”, thotë Reichardt.

Situata acarohet veçanërisht rreth Krishtlindjeve dhe gjatë festave. “Sipas përvojës sonë, kërkesa rritet ndjeshëm gjatë kësaj kohe”, tregon punonjësja sociale. Ngushtësia e banesës, festat dhe pushimet nga shkolla ose puna veprojnë si një përforcues për dhunën që ekziston ndaj grave.

Se sa të mëdha janë përmasat e dhunës në familje tregojnë edhe shifrat e fundit të Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA). Sipas raportit të fundit në Gjermani u regjistruan në vitin 2024 pothuajse 266.000 viktima të dhunës në familje - më shumë se kurrë më parë, një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Shumica dërrmuese e të prekurve janë gra. Dhuna nga partneri është veçanërisht e përhapur: në pothuajse 80 për qind të këtyre rasteve, viktimat janë femra.

Ministrja për Gratë dhe Familjen, Karin Prien, flet për zhvillime dramatike: “Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se çdo orë në Gjermani 15 gra bëhen viktima të dhunës nga partneri”. Ajo thekson se shifrat përfaqësojnë vetëm rastet e raportuara. Ekspertët supozojnë se raportohen më pak se pesë për qind e rasteve të dhunës nga (ish-) partnerët. Shkalla aktuale e dhunës ndaj grave është mjaft më e lartë.

Edhe numri i përgjithshëm i të gjitha krimeve kundër grave dhe vajzave është rritur gjithashtu. Në vitin 2024 nga dhuna prej partnerit gjetën vdekjen 308 vajza dhe gra.

Kërkesat e Konventës së Stambollit s'po përmbushen

A bën Gjermania mjaftueshëm për të mbrojtur gratë? Sipas statistikave të strehimoreve për gratë për vitin 2024 të përgatitur nga shoqata "Frauenhauskoordinierung e.V." e cila koordinon strehimoret për gratë, në të gjithë vendin ka rreth 400 strehëza për mbrojtjen e grave. Gjatë gjithë vitit në to gjetën strehim rreth 14,000 gra dhe më shumë se 15,000 fëmijë.

Bazuar në kërkesat e Konventës së Stambollitpër Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave, kjo do të thotë se në strehët e grave ka mungesë një prej më shumë se 12.000 vendesh. Ky boshllëk është i njohur prej vitesh. Studimet e porositura nga Ministria Federale për Çështjet e Familjes, të Moshuarit, Gratë dhe të Rinjtë tregojnë se një në dy gra nuk mund të gjejë vend në zonën ku banojnë. Dy të tretat madje duhet të akomodohen shumë larg, shpesh qindra kilometra nga shtëpia dhe rrjeti i tyre i mëparshëm shoqëror që i mbështeste.

Sfida për gratë migrante

Strehimorja e Grave "Autonomes Frauenhaus Bonn" e përjeton mbingarkesën çdo ditë. "Kur lirohet një vend, zakonisht ai zihet përsëri brenda një deri dy orësh", thotë për DW, Sonja Grafschaft, punonjëse në këtë strehimore. Zyrtarisht objekti ka 15 shtretër për gratë dhe 11 deri në 14 shtretër për fëmijët, por shpesh aty strehohen më shumë vetë njëkohësisht.

Qasja në shërbimet mbështetëse është veçanërisht e vështirë për gratë refugjate ose migrantet. Barrierat gjuhësore, mungesa e njohurive rreth sistemit të mbështetjes dhe shpesh rrjetet shumë të vogla sociale e bëjnë të vështirë qasjen. "Të flasësh për dhunën është mjaft e vështirë", thotë Grafschaft. "Të flasësh në një gjuhë të huaj është edhe më e vështirë dhe për shumë gra është praktikisht e pamundur".

Problemit me gjuhën i shtohen edhe kufizimet ligjore dhe financiare, sepse në varësi të modelit të financimit, jo të gjitha gratë mund të pranohen, si për shembull, studentet ose gratë pa status të sigurt qëndrimi. "Fakti që dhuna nuk është arsyeja e vetme për të strehuar dikë, por që rol luajnë gjithashtu të ardhurat ose dokumentet e qëndrimit, është fatale për shumë gra", kritikon Navina Reichardt nga NGO-ja "Ndihmë për Gratë në Nevojë".

Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna

Ligji për Mbrojtjen ndaj Dhunës është një nga instrumentet për të adresuar dhunën në familje. Ndër të tjera ai u lejon gjykatave të largojnë ata që ushtrojnë dhunë nga banesa e përbashkët dhe të lëshojnë urdhra për kufizimin e kontaktit.

Një rregullore e re, e bazuar në modelin spanjoll, mundëson që autorët e dhunës që janë veçanërisht të rrezikshëm të monitorohen përmes prangës elektronikeqë u vendoset në kyçin e këmbës, në mënyrë që shkeljet e urdhrave për kufizimin e kontaktit të zbulohen më shpejt. Shumë viktima përfitojnë nga Ligji për Mbrojtjen ndaj Dhunës kryesisht përmes qendrave të këshillimit, të cilat i ndihmojnë të aplikojnë për urdhër kufizimi kundër autorëve pas incidenteve me dhunë dhe ndërhyrjes së policisë.

Shumë organizata i kanë varur shpresat e tyre te Akti i Ndihmës për Dhunën, i miratuar nga Bundestagu në shkurt. Për herë të parë, ai synon të krijojë një të drejtë ligjore në të gjithë vendin për mbrojtje dhe këshillim dhe të rregullojë financimin e strehimoreve të grave pavarësisht nga rrethanat individuale. Qëllimi është që grave t'u ofrohet një vend në strehimore pavarësisht nga të ardhurat, statusi i qëndimit ose juridiksioni i komunave respektive.

Megjithatë zbatimi do të kërkojë kohë, sepse ligji pritet të hyjë plotësisht në fuqi në vitin 2032. "Deri atëherë, ne do të vazhdojmë të punojmë me mungesa," thotë Sonja Grafschaft. "Dhe madje edhe atëherë mbetet e paqartë se si do të bëhet në të vërtetë financimi dhe ndarja e hapësirave në përputhje me nevojat."