Qeveria gjermane planifikon ta bëjë më të lehtë shpalljen "e sigurt" për disa vende të caktuara të origjinës në kuadër të një shtytjeje për të ulur numrin e azilkërkuesve, ka thënë të mërkurën ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt.
Sipas planit të dakorduar nga ministrat në qeverinë e kancelarit, Friedrich Merz të mërkurën, miratimi nga dhoma e lartë e parlamentit të Gjermanisë nuk do të kërkohet më për të vendosur nëse ka persekutim në një vend që do të justifikonte dhënien e azilit për njerëzit nga atje, u ka thënë Dobrindt gazetarëve, raporton Reuters.
Dhoma e lartë e Parlamentit (Bundesrat) përfaqëson 16 shtetet federale të Gjermanisë. Anashkalimi i Bundesratit do ta përshpejtojë procesin.
Merzi i ka fituar zgjedhjet kombëtare në shkurt duke u zotuar për një goditje ndaj migracionit dhe për të kthyer mbrapsht azilkërkuesit në kufi, por qëndrimi më i ashpër hasi në pengesa ligjore këtë javë dhe ka tërhequr kritika nga partitë e opozitës.
Migrimi është ndër shqetësimet më të mëdha të votuesve gjermanë dhe një reagim i ashpër kundër të sapoardhurve ka kontribuar në një rritje të popullaritetit të partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Kabineti gjithashtu ka rënë dakord të mërkurën të heqë këshillimin e detyrueshëm ligjor për azilkërkuesit që përballen me dëbim.
“Këto janë hapa thelbësorë që janë pjesë e një sërë masash për të sjellë transformimin e azilit”, ka thënë Dobrindt.
Një gjykatë në Berlin ka vendosur këtë javë kundër dëbimit nga policia kufitare gjermane të tre azilkërkuesve somalezë. Merz ka thënë të martën se vendimi mund të kufizojë goditjen ndaj migracionit, por nuk do ta ndalojë atë.