Gjenerali i lartë amerikan Mark Milley, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologët e tij rusë dhe ukrainas të hënën, bëri të ditur zëdhënësi i tij.
“Në bisedën e tij me shefin e Shtabit të Përgjithshëm rus, gjeneral Valery Gerasimov, u diskutuan disa çështje shqetësuese lidhur me sigurinë dhe ranë dakord të mbanin linjat e komunikimit të hapura. Në përputhje me praktikën e kaluar, detajet specifike të bisedës së tyre do të mbahen private”, ka thënë koloneli Dave Butler, zëdhënës i Shtabit të Përbashkët, raportoi CNN-i të martën.
Milley foli edhe me gjeneralin e Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valery Zaluzhny për "pushtimin e paprovokuar dhe të vazhdueshëm rus të Ukrainës dhe shkëmbyen perspektiva dhe vlerësime”, shtoi zëdhënësi.
Një ditë më parë, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin folën përmes telefonit, që ishte telefonata e dytë në tri ditët e fundit mes tyre.