Mbetjet e mumifikuara të një amerikani janë gjetur 22 vjet pasi ai ishte zhdukur teksa po ngjitej në një mal në Peru.
William Stampfl, 59 vjeç, u raportua i zhdukur në qershor të vitit 2002 pasi një ortek varrosi grupin e tij të ngjitjes ndërsa ngjiteshin në malin Huarascan, majën më të lartë të Perusë, raporton BBC.
Policia peruane ka thënë se shkrirja e akullit kishte ekspozuar trupin e mumifikuar dhe të veshur të Stampfl.
Ai u identifikua nga pasaporta e gjetur mes sendeve të tij.
Policia ka thënë se trupi i Stampfl ishte i ruajtur mirë nga akulli peruan, me rrobat e tij në gjendje të mirë, raportoi AFP. Ai mbante ende çizmet dhe parzmoren e tij.
Mali Huarascan, i cili ndodhet rreth 435 km në veri të kryeqytetit Lima, qëndron në lartësi mbi 6,706 m.
Me majat e saj me dëborë dhe ngjitjet mahnitëse, vargmali Cordillera Blanca në Perunë verilindore është një magnet për alpinistët në mbarë botën.
Stampfl ishte nisur me dy të tjerë, Steve Erskine dhe Matthew Richardson, në një udhëtim 19-ditor vajtje-ardhje nga Kalifornia në majën më të lartë të Perusë.
Por një ortek e la në gjysmë ngjitjen e tyre më 24 qershor të vitit 2002. Vetëm trupi i Erskine ishte gjetur më parë.
Stampfl është të paktën personi i tretë i gjetur i vdekur këtë vit në rajon.
Trupi i një alpinisti italian i cili u rrëzua teksa ngjitej në një majë tjetër u gjet muajin e kaluar, ndërsa një izraelit u gjet i vdekur në maj gati një muaj pas zhdukjes së tij.
Muajin e kaluar, pesë trupa u gjetën të ngrirë në akull në majën më të lartë në botë, malin Everest.
Akullnajat po shkrihen dhe po tërhiqen në mbarë botën, gjë që shumica e shkencëtarëve ia atribuojnë përshpejtimit të ndryshimeve klimatike.