Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjendet një anije emigrantësh afër Ishujve Kanarinë, raportohet për të paktën 7 të vdekur

Dy trupa janë gjetur në një anije emigrantësh, e cila ishte duke udhëtuar nga Afrika Perëndimore për në Ishujt Kanarinë në Spanjë. Të mbijetuarit kanë treguar se pesë njerëz të tjerë kishin vdekur dhe ishin hedhur në det, kanë thënë ekipi i shpëtimit detar dhe Kryqi i Kuq, ka raportuar “Associated Press”.

Kishte 38 të mbijetuar. Emigrantët ishin nisur nga Nouakchotti, kryeqyteti i Mauritanisë, 10 ditë më herët, sipas koordinatorit të Kryqit të Kuq spanjoll, José Antonio Rodríguez Verona. Një anije tregtare i ka pikasur ata rreth 140 kilometra në jug të Gran Canarias, të hënën në mbrëmje.

Dymbëdhjetë të mbijetuar janë dërguar në spitalin e ishullit, duke përfshirë katër në gjendje kritike, kanë thënë Shërbimi i Shpëtimit Detar i Spanjës dhe Kryqi i Kuq. Emigrantët ishin nga Mauritania, Mali dhe Bregu i Fildishtë dhe kishte edhe shtatë gra në anije, ka thënë Rodríguez Verona.

Ata i kanë thënë ekipit të shpëtimit se pesë njerëz kishin vdekur gjatë udhëtimit dhe ishin hedhur në det, ka shtuar ai.

Autoritetet spanjolle janë përballur me një rritje të numrit të emigrantëve dhe refugjatëve që ikin nga varfëria, konflikti dhe paqëndrueshmëria në Afrikën Perëndimore, duke shkuar drejt arkipelagut. Gati 12,000 njerëz zbarkuan në Kanarinë në dy muajt e parë të vitit, sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës.