Shtatëmbëdhjetë emigrantë besohet të kenë humbur jetën ndërsa përpiqeshin të arrinin në brigjet e Ishujve Balearikë të Spanjës, pas një udhëtimi 15-ditor, kanë thënë autoritetet të martën, duke iu referuar dëshmisë së dy të mbijetuarve që janë shpëtuar nga një varkë pranë brigjeve të Majorkës.
Të dy të mbijetuarit, me origjinë nga vende të Afrikës së Veriut, kanë shfaqur shenja kequshqyerjeje dhe dehidratimi dhe janë shtruar në spital, ka njoftuar zyra e qeverisë spanjolle në rajon.
Dy të mbijetuarit kanë thënë se fillimisht në varkë ndodheshin 19 persona. Autoritetet nuk kanë mundur t'i konfirmonin në mënyrë të pavarur vdekjet.
Një helikopter emergjence është mobilizuar për të kërkuar në zonën pranë vendit ku është kryer shpëtimi të martën, ka thënë zyra qeveritare.
Varka është gjetur rreth 20 kilometra në jugperëndim të ishullit të Majorkës, në Detin Mesdhe.
Në një rast të veçantë pranë Majorkës, më vonë gjatë së martës, autoritetet kanë njoftuar se kishin shpëtuar të gjallë 17 emigrantë dhe kishin gjetur dy të vdekur nga një varkë që besohet se transportonte rreth 30 persona.
Rruga nga Algjeria drejt Ishujve Balearikë ishte korridori migrator me rritjen më të shpejtë drejt Bashkimit Evropian gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, edhe pse numri i përgjithshëm i të ardhurve në bllok ka rënë, sipas agjencisë kufitare të BE-së, Frontex.
Edhe
Ceuta në gjendje të rënduar, mijëra persona mbeten aty pas dyndjes në kufi
Numri i përgjithshëm i të ardhurve në Spanjë është ulur me afro 25%, sipas të dhënave më të fundit nga ministria spanjolle e Brendshme.
Vitin e kaluar, Frontex ka deklaruar se trafikantët po i zhvendosnin operacionet e tyre nga Maroku në Algjeri për shkak të kontrolleve që konsideroheshin më pak të rrepta, si dhe po përdornin varka më të shpejta.
Gjatë vitit të kaluar, Spanja është përpjekur të forcojë bashkëpunimin me Algjerinë për kontrollin e migracionit.