Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Gjendet droni i tretë dhe eksplozivë ushtarakë pranë aeroportit të Leipzigut

Leipzig

Foto: Associated Press

Hetuesit gjermanë kanë zbuluar një dron të tretë dhe lëndë shpërthyese të dyshuar ushtarake, të cilat besohet se lidhen me një përpjekje për sulm ndaj aeroportit të Leipzigut, raportojnë mediat lokale.

Droni është zbuluar në Kabelsketal, në perëndim të aeroportit, së bashku me rreth 50 gramë lëndë shpërthyese të dyshuar ushtarake, më 14 gusht, 10 ditë pas një përpjekjeje të pasuksesshme për sabotim.

Aeroporti i Leipzigut është një qendër e rëndësishme për transportin e mallrave dhe logjistikën ushtarake, e përdorur nga NATO-ja dhe kompania ukrainase "Antonov Airlines" për transportin e furnizimeve ushtarake.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, e cila drejton hetimet, nuk ka pranuar të komentonte të martën. Por kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se qeveria së shpejti do të japë informacione për personat që, sipas saj, qëndrojnë pas sulmeve me dronë.

“Ata do të paguajnë për këtë”, ka thënë Merz, pa përmendur një të dyshuar konkret, përpara një mbledhjeje të kabinetit në Brandenburg. 

Edhe Dy dronë shihen mbi një bazë ushtarake gjermane, disa ditë pas incidentit me bombë në Leipzig Botë Dy dronë shihen mbi një bazë ushtarake gjermane, disa ditë pas incidentit me bombë në Leipzig

Ai ka shtuar se qeveria po punon intensivisht për këtë së bashku me autoritetet e sigurisë dhe së shpejti do të paraqesin gjetjet.

Burime të inteligjencës të cituara nga transmetuesit NDR dhe WDR dhe gazeta “Süddeutsche Zeitung” kanë thënë se dyshohet për përfshirje të inteligjencës ruse në përpjekjen për sulm. Moska zyrtare ka mohuar përfshirjen.

Qeveria gjermane deri tani ka shmangur një qëndrim të qartë nëse beson se Rusia, apo një aktor i afërt me të, është përgjegjës.

Merzi ka thënë se përpjekja për sulm tregon se Gjermania po bëhet gjithnjë e më shumë objektiv i sulmeve. 

Më 4 gusht, pranë një avioni transportues ukrainas Antonov, të përdorur për furnizime ushtarake, është gjetur një dron që mbante lëndë shpërthyese. Sipas hetuesve, droni me sa duket ishte planifikuar të ulej mbi krahët e avionit, i cili ishte i mbushur me vajguri, por pajisja shpërthyese nuk ka shpërthyer.

Hetuesit thonë se rreth 20 minuta pas zbulimit të dronit të parë, një dron i dytë mund të jetë përplasur me një avion transportues të DHL-së, i cili u detyrua të ndërpriste manovrën e uljes dhe u devijua drejt Marsejës.

Edhe Gjermania e vlerëson si “nivel të ri rreziku” dronin me eksplozivë në aeroportin e saj Botë Gjermania e vlerëson si “nivel të ri rreziku” dronin me eksplozivë në aeroportin e saj

Sipas raportimeve më të fundit të mediave, një inspektim i avionit të DHL-së zbuloi dëmtime në pjesën e bishtit, çka sugjeron një përplasje me një objekt. 

Megjithatë, droni ende nuk është gjetur. Hetuesit besojnë se ai mund të jetë thithur nga motorët pas përplasjes dhe të jetë copëtuar në pjesë të vogla.