Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

G20-a i bën jehonë dënimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës

Një projekt-deklaratë në diskutim, nga udhëheqësit e grupit të 20 ekonomive më të mëdha botërore, të martën i bëri jehonë dënimit të luftës së Rusisë ndaj Ukrainës nga Kombet e Bashkuara, teksa i pranon pikëpamjet e ndryshme midis anëtarëve.

Në samitin e G20-s, që sivjet mbahet në Bali të Indonezisë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, iu bashkua homologut të tij amerikan, Joe Biden, në përpjekjen për të bindur vendet anëtare të grupit për izolimin e mëtutjeshëm diplomatik dhe ekonomik të Rusisë.

Nëpërmjet një video-adresimi para udhëheqësve, Zelenskyy i përsëriti 10 kushte për t'i dhënë fund konfliktit që nisi në shkurt.

E në kuadër të këtij samiti, Bideni pati një takim edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, që luajti rol kryesor gjatë verës në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje për t’i hapur rrugë eksportit të grurit ukrainas, me qëllim të zbutjes së mungesës globale të ushqimit.

Zyrtarët kinezë, në ndërkohë, janë përmbajtur nga kritikat publike rreth luftës ruse, teksa Pekini zyrtar ka shmangur mbështetjen e drejtpërdrejtë për rusë në rrafshin e furnizimit me armë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk mori pjesë në samit, por e dërgoi ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov, si përfaqësues të tijin.

E sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, mbajti një takim të gjatë të martën me të, për të diskutuar mbi nismën e grurit në Detin e Zi.

Edhe Zelensky i drejtohet G20-s: Lufta në Ukrainë të përfundojë menjëherë Botë Zelensky i drejtohet G20-s: Lufta në Ukrainë të përfundojë menjëherë

Marrëveshja që e lejoi eksportuesin kryesor të grurit – Ukrainën – t’i rifillonte eksportet nga portet që ishin bllokuar shkaku i luftës, do të ripërtërihet më 19 nëntor.

Samiti i G20-s ndërkaq është i pari i këtillë për kryeministrin e ri britanik, Rishi Sunak dhe kryeministrja e porsazgjedhur italiane, Giorgia Meloni.

Sunak, i cili e mori detyrën muajin e kaluar pas mandatit të shkurtër të Liz Trussit, ka premtuar të vazhdojë mbështetjen e palëkundur të pararendësve të tij konservatorë për Ukrainën. Ndërkaq, Meloni është zotuar po ashtu se do t’i ofrojnë armët dhe ndihmat e tjera për Ukrainën. Ajo madje do të takohet privatisht me Bidenin.