Dy cisterna ruse nafte me 29 anëtarë të ekuipazhit në bord janë fundosur në Detin e Zi për shkak të motit të keq dhe nga to tani po rrjedh naftë, kanë bërë të ditur autoritetet ruse.
Një video e postuar në Telegram nga autoritetet ruse tregon një nga cisternat të ndarë në gjysmë dhe duke u fundosur mes një stuhie të fortë, teksa duken qartë edhe rrjedhjet e naftës, raporton BBC.
Të paktën një anëtar i ekuipazhit besohet të ketë vdekur, teksa autoritetet po hetojnë për neglizhencë kriminale, sipas agjencisë së lajmeve TASS.
Incidenti ndodhi në ngushticën e Kerçit, që ndan Rusinë nga Krimeja e pushtuar.
Një operacion shpëtimi dhe pastrimi është duke u zhvilluar që përfshin rimorkiatorë, helikopterë dhe më shumë se 50 personel, njoftoi agjencia e lajmeve TASS.
“Sot, si pasojë e një stuhie në Detin e Zi, dy cisternat, Volgoneft-212 dhe Volgoneft-239, u fundosën”, ka shkruar në një deklaratë agjencia federale e transportit detar dhe ujor të Rusisë, Rosmorrechflot.
"Në bordin e anijeve kishte ekuipazhe prej 15 dhe 14 personash. Aksidenti rezultoi në derdhjen e produkteve të naftës”, thuhet më tej në deklaratë.
Të dy cisternat kanë një kapacitet ngarkimi prej rreth 4,200 tonë naftë, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Two Russian oil tankers near the Kerch Strait, Black Sea, are in distress. One seems to sink and there is an obvious oil spill.
— (((Tendar))) (@Tendar) December 15, 2024
Source: Telegram / Shot pic.twitter.com/vPKrvjim8K