Botë

Franca fton Rusinë në një ceremoni ndërkombëtare, por refuzon Putinin

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Rusia do të ftohet për të dërguar përfaqësues në një ceremoni ndërkombëtare në Francë, në përkujtim të 80-vjetorit të Ditës D. Mirëpo organizatorët francezë kanë bërë të ditur se nuk është ftuar presidenti rus, Vladimir Putin, raporton The Guardian. 

Pallati Elysee thuhet se është pajtuar që Rusia të jetë e përfaqësuar, mirëpo ka thënë se lideri i saj nuk është i mirëpritur për shkak të luftës në Ukrainë. 

“Në pajtim me rrethanat, presidenti Putin nuk do të ftohet që të marrë pjesë në organizimin komemorativ të zbarkimit të Normandisë”, ka thënë komiteti organizativ i Misionit Çlirimtar.

Megjithatë, Rusia do të ftohet të përfaqësohet në mënyrë që të nderohet rëndësia e angazhimit dhe sakrificave të popujve sovjetikë, si dhe kontributi i saj në fitoren e 1945-ës. 

“Ndryshe nga regjimi i Kremlinit, Franca nuk ndjek një politikë të revizionizmit historik”, thuhet në një deklaratë të organizatorëve.

Asnjë informacion tjetër nuk është dhënë, derisa as ambasada ruse në Paris dhe as Kremlini nuk reaguan ndaj deklaratës dhe nuk treguan nëse ftesa do të pranohej. 

Më shumë se 20 milionë trupa sovjetike vdiqën gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Putini ishte i ftuar dhe mori pjesë në ceremoninë për të shënuar 70 vjetorin e zbarkimit të ditës D, pavarësisht aneksimit të Krimesë nga Rusia disa muaj më parë. 

Në atë kohë, presidenti i atëhershëm francez, François Hollande, pati deklaruar se "ju mund të keni dallime në mendime me Vladimir Putinin, por unë kurrë nuk kam harruar dhe kurrë nuk do ta harroj se populli rus dha miliona jetë".

Pas përkujtimeve të qershorit të vitit 2014, Putini dhe presidenti i atëhershëm ukrainas, Petro Poroshenko, ishin takuar në Elysée për bisedime pasi Moska mbështeti një kryengritje pro-ruse në Ukrainën lindore.