Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të mërkurën ka pretenduar se “kurrë nuk ka refuzuar” një takim me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe e ka ftuar atë për takim në Moskë, ka njoftuar agjencia ruse e lajmeve “Tass”.
“Nëse Zelensky është i gatshëm për një takim, le të vijë në Moskë”, ka thënë Putin në Pekin, raporton "Fox News".
Ai u takua me liderin e Kinës, Xi Jinping dhe atë të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ku përcollën paradën e Kinës për 80 vjetorin e fundit të Luftës së Dytë Botërore.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sibiha, ka reaguar ashpër ndaj ftesës së Putinit.
Sibiha tha se ekzistojnë një numër opsionesh alternative dhe serioze për këtë takim.
Ai theksoi se të paktën shtatë vende kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të pritur një samit paqeje midis Ukrainës e Rusisë, mes tyre Austria, Vatikani, Zvicra, Turqia dhe tri shtete të Gjirit Persik.
"Këto janë propozime serioze dhe presidenti Zelensky është gati për një takim të tillë në çdo kohë. Megjithatë, Putin vazhdon të vonojë gjithçka duke paraqitur propozime qëllimisht të papranueshme", tha Sibiha në një postim në rrjetin X.