Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Forcat kubane vrasin katër persona në një motoskaf të regjistruar në SHBA

Kuba

Getty Images

Katër persona që hynë në ujërat kubane me një motoskaf të regjistruar në SHBA janë qëlluar për vdekje nga rojat kufitare, tha Qeveria e Kubës, transmeton “BBC”.

Në një deklaratë, Ministria e Brendshme e Kubës tha se pasagjerët e motoskafit hapën zjarr ndaj një anijeje të rojës bregdetare që iu afrua atyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjashtë pasagjerë të tjerë u plagosën në incidentin, i cili ndodhi pranë një ishulli në bregun verior të Kubës.

Identitetet e atyre që ndodheshin në bord apo çfarë po bënte mjeti lundrues në atë zonë janë të paqarta, ndërsa Qeveria kubane tha se ka nisur një hetim për ta “sqaruar” ngjarjen.

Në deklaratën e postuar në X, Ministria tha se mjeti i regjistruar në Florida – me numrin e regjistrimit FL7726SH – u zbulua pranë Cayo Falcones, në provincën qendrore Villa Clara, të mërkurën në mëngjes.

Kur një anije kubane me pesë anëtarë të rojës kufitare iu afrua mjetit për identifikim, “ekuipazhi i motoskafit hapi zjarr” dhe plagosi komandantin kuban, thuhet në deklaratë.

“Si pasojë e përplasjes, deri në momentin e këtij raporti, katër agresorë në mjetin e huaj u vranë dhe gjashtë u plagosën”.

Të plagosurit u evakuuan dhe morën ndihmë mjekësore.

Kongresmeni i Floridës, Carlos Gimenez, një kubano-amerikan dhe ish-kryetar i bashkisë së Miamit, tha se do të kërkojë një hetim për atë që e quajti një “masakër”.

Ai shtoi se autoritetet amerikane “duhet të përcaktojnë nëse ndonjë nga viktimat ishin shtetas amerikanë ose banorë të ligjshëm”.

Incidenti vjen mes tensioneve të shtuara midis SHBA-së dhe Kubës, e cila po përballet me një krizë të thelluar të karburantit që është përkeqësuar nga bllokimi i dërgesave të naftës nga Venezuela.
Deklarata kubane i referohej këtyre tensioneve, duke thënë se “përballë sfidave aktuale, Kuba riafirmon vendosmërinë e saj për t’i mbrojtur ujërat territoriale” dhe për ta ruajtur sovranitetin e saj.
Incidenti ndodhi gjithashtu ndërsa Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjendet në Saint Kitts dhe Nevis për t’u takuar me liderë të Karaibeve mes përpjekjeve të administratës së Donald Trump për ta rritur presionin ndaj Qeverisë kubane, si dhe për çështje të tjera rajonale.

Incidenti i së mërkurës bëri që disa ligjvënës nga Florida të kërkojnë një hetim dhe të kritikojnë Qeverinë kubane.

Kongresistja e Floridës, Maria Elvira Salazar, shkroi në rrjetet sociale se po e ndiqte situatën dhe “po pret detaje të mëtejshme nga autoritetet amerikane”.

James Uthmeier, prokurori i përgjithshëm i Floridës, tha se do të urdhërojë forcat lokale të zbatimit të ligjit të hetojnë incidentin.

“Qeverisë kubane nuk mund t’i besohet dhe ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për t’i mbajtur këta komunistë përgjegjës”, tha ai.

Në Senatin e SHBA-së, republikani i Floridës Rick Scott kërkoi “një hetim të plotë për këtë situatë thellësisht shqetësuese dhe për të përcaktuar çfarë ndodhi”.

“Regjimi komunist kuban duhet të mbahet përgjegjës!” shtoi ai.