Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, "Frontex", të enjten bëri të ditur se do të dërgojë më shumë oficerë në Finlandë javën e ardhshme pasi kombi nordik kërkon të kufizojë numrin e azilkërkuesve që vijnë nga Rusia.
Helsinki ka akuzuar Moskën se ka dërguar rreth 700 emigrantë në kufi në dy javët e fundit nga vende të tilla si Jemeni, Afganistani, Kenia, Maroku, Pakistani, Somalia dhe Siria, një akuzë që Kremlini e ka mohuar, shkruan Reuters.
Autoritetet finlandeze të mërkurën thanë se do të mbyllin të gjitha përveç pikës më veriore të kalimit në kufirin e saj 1,340 kilometra me Rusinë, duke lënë të hapur vetëm një rrugë të largët të Arktikut nga e premtja në mëngjes e tutje.
Masat fillimisht do të jenë në fuqi për një muaj. Frontex në një deklaratë tha se do të vendosë 50 oficerë të rojeve kufitare dhe staf tjetër në Finlandë së bashku me pajisje të tilla si makina patrullimi, për të forcuar aktivitetet e kontrollit.
Ministrja e Brendshme e Finlandës Mari Rantanen tha se vendi i saj do të rrisë regjistrimin e atyre që mbërrijnë, duke krijuar qendra për mbledhjen e fotografive, gjurmëve të gishtërinjve dhe informacioneve të tjera të identitetit.
Edhe
Finlanda synon t’i aktivizojë rezervistët për ta mbrojtur kufirin me Rusinë
"Kjo është bërë për arsye sigurie, sepse ne nuk e dimë se kush do të kalojë kufirin," tha Rantanen në një postim në X.
Frontex tha se do të dërgojë një grup të parë të stafit më 29 nëntor, duke përfshirë oficerë të mbikëqyrjes kufitare, mbështetje për regjistrimin e migrantëve, ekspertë dokumentesh dhe përkthyes.