Botë

Finlanda do ta mbyllë tërësisht kufirin me Rusinë shkaku i migrantëve

Finlanda ka marrë vendim t’i mbyllë gjitha pikat kufitare me Rusinë, pasi e ka akuzuar Moskën se qëllimisht po i ndihmon migrantët të kalojnë në territorin finlandez, raporton “BBC”.

Shtatë nga tetë pikat rrugore kufitare ishin mbyllur më herët, për shkak të rritjes së kalimeve këtë muaj.

Qeveria e Finlandës ka thënë se pika e fundit kufitare do të mbyllet të enjten dhe do të qëndrojë mbyllur për dy javë.

Rreth 900 azilkërkues u futën në Finlandë nga Rusia në nëntor, një rritje e dukshme.

Ata vinë nga shtete si Maroku, Pakistani e Siria, thonë autoritetet.

Finlanda “është e përkushtuar të ndalojë gjitha këto kalime”, ka thënë kryeministri finlandez Petteri Orpo.

Pika Raja-Jooseppi ishte pika e fundit rrugore kufitare që kishte mbetur e hapur, por do të mbyllet. Një pikë kufitare hekurudhore do të mbetet e hapur.