Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Faji “jetim” për masakrën në spitalin e Gazës

Shpërthimi në spitalin arab “Al-Ahli” në Rripin e Gazës, mbrëmjen e së martës, ka prodhuar një zinxhir ngjarjesh, në kohën kur konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, që filloi më 7 tetor, ka hyrë në ditën e 12-të. Presidenti palestinez ka fajësuar palën izraelite për shënjestrimin e spitalit; pala izraelite ua ka hedhur fajin grupeve të militantëve, ndërsa Hamasi ka lënë përgjegjëse SHBA-në. Në shenjë proteste për sulmin, Jordania ka anuluar samitin katërpalësh mes presidentit Joe Biden e liderëve egjiptianë e palestinezë. E nga Izraeli, ku qëndroi për vizitë, presidenti Biden fajtor la palën tjetër e jo Izraelin

Një shpërthim në spitalin arab “Al-Ahli” në Rripin e Gazës, mbrëmjen e së martës, është bërë mollë sherri mes palës izraelite dhe Hamasit.

Të paktën 500 njerëz janë vrarë, në shpërthimin i cili u dënua dhe u cilësua si sulm izraelit nga presidenti palestinez Mahmoud Abbas. Ai e cilësoi shënjestrimin e spitalit në Gaza si një “masakër të shëmtuar lufte” që nuk mund të tolerohet.

Ushtria e Izraelit, ka thënë se shpërthimi në spital u shkaktua nga raketat e militantëve.

Në anën tjetër Xhihadi Islamik Palestinez ka mohuar se raketa e saj është përgjegjëse për shpërthimin.

E kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se “terroristët barbarë” janë përgjegjës për sulmin në spitalin në Gaza.

Edhe Lufta e gjatë dhe paqartësitë në Lindjen e Mesme Botë Lufta e gjatë dhe paqartësitë në Lindjen e Mesme

“E gjithë bota duhet ta dijë - ishin terroristët barbarë në Gaza ata që sulmuan spitalin në Gaza, dhe jo Forcat e Mbrojtjes të Izraelit”, ka thënë Netanyahu.

Ismail Haniyeh, që gjerësisht njihet si lider i Hamasit, përgjegjëse për sulmin ka fajësuar SHBA-në, duke thënë se Washingtoni i ka dhënë Izraelit “mbulesë për agresionin”.

Ndaj sulmit ka reaguar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kreu i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus, bëri thirrje për mbrojtje të civilëve dhe stafit mjekësor.

Edhe Izraeli, edhe zyrtarët e Gazës kanë paraqitur provat e tyre mbi sulmin.

Dëshmitë nga Spitali Ahli, tregonin për një top zjarri që shpërtheu nga karburanti i raketës dhe jo ndonjë municion izraelit, ka thënë admirali izraelit Daniel Hagari. Ndërsa zyrtarët në Gaza kanë thënë të mërkurën, se spitali Al-Ahli, që u shkatërrua të martën në mbrëmje, ishte dëmtuar nga dy predha izraelite katër ditë më parë dhe se pas sulmit të parë Forcat Mbrojtëse të Izraelit e kishin paralajmëruar menaxhmentin e spitalit që të evakuonte stafin mjekësor dhe pacientët.

Edhe Përpjekje për ruajtjen e spitalit kryesor të Gazës Botë Përpjekje për ruajtjen e spitalit kryesor të Gazës

Pas shpërthimit shkatërrues në spitalin në Gaza, 22 shtete arabe në Kombet e Bashkuara u bënë bashkë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm në Gazë.

Në shenjë proteste ndaj shpërthimit, Jordania anuloi samitin që ishte planifikuar të mbahej në Aman të mërkurën me presidentin e SHBA-së, Joe Biden, dhe me udhëheqësit egjiptianë dhe palestinezë, për të diskutuar rreth Gazës.

Image

Ndonëse samiti katërpalësh u anulua, Joe Biden e vazhdoi agjendën e tij të planifikuar për në Izrael, ku edhe u takua me presidentit Benjamin Netanyahu. Nga vendi i Lindjes së Mesme, aleat i SHBA-së, Biden tha se sulmi në spital është kryer “nga një palë tjetër” dhe jo nga Izraeli.

“Jam thellësisht i pikëlluar dhe i indinjuar nga shpërthimi në spitalin e Gazës dje. Bazuar në atë që kam parë, duket sikur është bërë nga pala tjetër, jo ju”, është shprehur Biden.

Edhe Paqartësi dhe dyshime për raketën që goditi spitalin në Gaza Botë Paqartësi dhe dyshime për raketën që goditi spitalin në Gaza

Shpërthimi i spitalit është dënuar në të gjithë botën arabe dhe protesta janë organizuar në ambasadat e Izraelit në Turqi dhe Jordani dhe pranë ambasadës së SHBA-së në Liban, ku forcat e sigurisë kanë gjuajtur gaz lotsjellës drejt demonstruesve.

Të paktën 3.478 palestinezë janë raportuar të vrarë dhe 12 mijë të tjerë të lënduar në Gazë, që nga kundërpërgjigjja e Izraelit që filloi nga e shtuna e 7 tetorit, pas sulmeve të Hamasit ndaj izraelitëve që lanë rreth 1400 të vdekur. (Përgatiti: Forca Jashari)