Gjatë vitit 2024, gati një në tre të dyshuar të arrestuar për vepra të lidhura me terrorizëm në Bashkimin Evropian ka qenë i mitur ose i ri në moshë. Rasti më ekstrem ishte ai i një 12-vjeçari që u arrestua për planifikim të një sulmi terrorist, thuhet në Raportin e Europolit mbi kërcënimet terroriste në BE që u publikua të martën.
Disa prej rasteve të fundit të vrasjeve dhe sulmeve të dhunshme janë lidhur me komunitete kultiste online, të cilat përdorin platformat digjitale për të shpërndarë dhe normalizuar mizorinë ekstreme, për të shantazhuar viktima dhe për të radikalizuar të rinjtë, duke i nxitur ata të kryejnë veprime të dhunshme. Këto grupe shpesh targetojnë të miturit më të cenueshëm, zakonisht në moshën mes 8 dhe 17 vjeç. Shumë prej tyre kanë lidhje ideologjike me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm të krahut të djathtë, okultizmin dhe satanizmin, thuhet në raportin e fundit të Europolit.
Konflikti në Gaza ka vazhduar të ketë ndikim të madh në nivelin e kërcënimeve terroriste në BE. Ka pasur sulme të shumta dhe thirrje për dhunë nga ideologji të ndryshme. Propaganda terroriste dhe ekstremiste e dhunshme në internet ka shfrytëzuar këtë konflikt për të nxitur urrejtjen, ku antisemitizmi është bërë element i përbashkët.
Po ashtu, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shërbyer si shtysë për përhapjen e narrativave ekstremiste dhe për mobilizimin e individëve të radikalizuar.
Në Siri, rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024 dhe formimi i një qeverie të re të udhëhequr nga lideri i Hay’at Tahrir al-Sham (HTS), Ahmed al-Sharaa, ka sjellë ndryshime të mëdha me pasoja potenciale për rajonin. Ka shqetësime në rritje për aftësinë e udhëheqjes së re për të luftuar terrorizmin, për rritjen e interesit nga ekstremistët e radikalizuar për të udhëtuar drejt rajonit, si dhe për të ardhmen e mijëra të burgosurve që aktualisht mbahen në qendrat e kontrolluara nga Forcat Demokratike Siriane (SDF).
E përdorimi i inteligjencës artificiale gjenerative për krijimin dhe përhapjen e propagandës dhe gjuhës së urrejtjes ka arritur nivele të paprecedentë, veçanërisht brenda qarqeve të ekstremit të djathtë. Po ashtu, platformat me enkriptim janë përdorur gjerësisht për komunikim të sigurt, koordinim, rekrutim, shpërndarje të propagandës dhe nxitje për mobilizim dhe dhunë.